Albin Kurti po hyn në një betejë të rrezikshme, por të pashmangshme për karrierën e tij, në betejën për të nënshtruar Kosovën. Bllokimi 6-mujor i konstituimit të Kuvendit dhe përfundimi i kësaj bllokade duke zgjedhur në krye të Kuvendit një figurë kontraverse si Dimal Basha, ishte hapi i parë për të nënshtruar rivalët e vet me një zgjidhje edhe më të keqe nga ajo që ata kanë refuzuar për gjashtë muaj rresht.
Dimal Basha, aftësia e vetme e të cilit duket që është se i tërbon të gjithë me të kaluarën e tij gati raciste anti-UÇK, dhe profilin mediokër si politikan, është kthyer ende pa mbushur 24 orë, në një beze të kuqe për shumë politikanë, gazetarë dhe opinionin publik, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Natyrisht nuk do të dorëhiqet prej këtyre kërkesave, por prej skemës që Albin Kurti ka zgjedhur për të nënshtruar Kosovën. Pasi zgjati gjashtë muaj krizën e parlamentit, Albin Kurti ka përpara dy kriza të reja, krizën e formimit të qeverisë dhe krizën e zgjedhjes së presidentit që është në pranverën që vjen.
Deri atëherë Kosova nuk do të ketë qetësi. Skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme që mund të ndodhë mes tetorit dhe prillit, është i sigurt që nuk do të prodhojë një shumicë të re dominuese për Albin Kurtin dhe kriza do të përsëritet përsëri në prill, tek zgjedhja e presidentit.
Pra e thënë më qartë: prej sot deri në prill, Kosova ka shanse të hyjë dy herë në zgjedhje vetëm e vetëm pse Albin Kurti nuk ka shumicën për të formuar qeverinë i vetëm.
Pra në një farë mënyre ai është angazhuar në një betejë gjakftohtë afatgjatë për të nënshtruar Kosovën duke i thënë: ose më jepni të gjitha votat mua, ose këtu do të dalë ujë i zi dhe nuk do ketë më as institucione, as qeveri, as parlament, as president.
E gjithë kjo vjen nga mungesa e dëshirës për një marrëveshje politike dhe nga trajtimi i kundërshtarëve të tij si armiq. Idetë për një qeveri me bazë të gjerë dhe tejkalim të krizës politike me marrëveshje shikohen si ide armiqësore, pasi në mendjen e Albin Kurtit dhe mbështetësve të vet, Kosova ose do të jetë e tyre ose e askujt.
Ata mendojnë se Kosova ose duhet t’i bjerë në gjunjë Albin Kurtit, duke i dhënë shumicën për pushtet, ose do ta ulë në gjunjë Albin Kurtin brenda vitit, duke e lënë pa pushtet.
Sido që të jetë rezultati, beteja e tij me Kosovën i ngjan një beteje mes dy armiqve të cilët po luftojnë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin. Dhe kur mendon, se Kosova pa Albinin mund të jetë një vend normal, kurse Albini pa Kosovën është thjesht një emigrant, e gjithë kjo betejë duket një mallkim për shtetin e brisht të Kosovës./TEMA