Ajo që për shumë vetë ngjan si zgjidhje e ngërçit institucional në Kosovë, në fakt është fillimi i krizës së mosformimit të institucioneve dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme që mbahen brenda 45 ditëve nga dita që Kuvendi vendos të shpërndahet. Dimal Basha mund të mbetet në histori si kryetari i Kuvendit më jetëshkurtër në Kosovë. Arsyet janë të qarta. Albin Kurti nuk është i interesuar për një qeveri në pakicë, prandaj nuk është i interesuar të formojë një qeveri të Vetëvendosjes që nuk i ka votat, duke marrë disa vota hua nga ndonjë parti tjetër, qoftë Limaj, PDK apo LDK. Ai e di që në atë moment është në dorë të tyre dhe deliri i udhëheqësit të gjithpushtetshëm nuk e lejon të ulet të bëjë marrëveshje politike.

Për këtë arsye nga ana procedurale do të kemi 15 ditë kohë që Albin Kurti të djegë shansin për të formuar qeverinë. Pas 15 ditësh ky shans i kalon PDK-së. PDK mund të formojë një qeveri të opozitës, pasi ata janë në shumicë, por acarimi i sotëm me LDK-në dhe perspektiva vetëm njëvjeçare e asaj qeverie do të ngrejë dyshime dhe për këtë…

Kështu që gjithë objektivi i Albin Kurtit dhe opozitës tani është se kur do të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Albin Kurti do të synojë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të bëhen më 12 tetor, në një ditë me zgjedhjet lokale, ku Albin Kurti ka vetëm dy bashki të mëdha. Kjo do t’i japë atij mundësi që, duke përdorur fuqinë që ka në pushtetin qendror, të përforcojë dhe rezultatin në zgjedhjet lokale, duke mundur opozitën.

Por për këtë i duhen votat e PDK-së dhe është e sigurt që PDK nuk ia jep këtë shans. PDK dhe opozita do të synojnë që Kuvendi të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme pas zgjedhjeve lokale.

Nuk është se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të prodhojnë ndonjë realitet shumë të ndryshëm nga ky që është, por nëse në zgjedhjet lokale Vetëvendosje del dobët, rriten shanset për një shumicë më të qëndrueshme opozitare.

Rruga më e sigurt është që opozita të gjejë fuqi të bashkohet dhe të formojë një qeveri që të zgjasë deri në krizën e presidentit dhe t’i lërë kohë vetes të organizohet për zgjedhjet parlamentare pas një viti.

Por duket se gjasat janë të pakta.

E vetmja gjë e sigurt është që Kosova do të jetë në zgjedhje në tetor për komunat e saj dhe në nëntor për parlamentin e ri që do të prodhojë përsëri një rezultat të vjetër. Arsyeja është se Albin Kurti nuk pranon një qeveri të varur nga të tjerët. Ai do ose gjithçka vetë në dorë, ose asgjë, duke mbajtur Kosovën në krizë të përhershme, pasi sipas teorisë leniniste, kriza permanente hapte mundësi për revolucion./TEMA