Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha në një komunikim për mediat nga Delvina mbrëmjen e së mërkurës, tregoi situatën aktuale në këtë zonë dhe zonën e Gramshit më të prekurat nga zjarret e mëdha të një dite më parë.

I pyetur lidhur me polemikat e ditëve të fundit për mungesën e avionëve shqiptarë për fikjen e zjarreve, ministri Vengu tha se avionët janë në proces duke u blerë, ndërsa theksoi mungesën e pilotëve për drejtimin e këtyre avionëve.

Ai tha se vatra e Gramshit është fiksuar dhe sot nuk ka përhapje të tij, ndërsa theksoi se në bashkinë Finiq ka disa vatra dhe 1 tjetër në Tiranë, jashtë zonave të banuara që është duke u mbajtur në monitorim.

“Vatra e Gramshit është fiksuar, nuk ka përhapje sot, situata në bashkinë Finiq ka disa vatra, dhe në Syrin e Kaltër, era dhe temperaturat janë në favorin tonë. Kemi një situatë në Tiranë, në lartësi, larg zonave të banuara ku duhet të jemi vigjilentë… Ajo që dehet të bëjmë është të gjejmë pilotët e avionëve, për të cilat kanë përfunduar procedurat e blerjes, ndaj kemi hapur edhe një shkollë aviacioni. Avionët janë duke u blerë, duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri, është një proces që kërkon kohë, çdo gjë është transparente, nuk kemi bërë disbursime se nuk kemi lidhur kontratë”, tha ministri.