Ministria e Mbrojtjes ka ndarë një njoftim mbi situatën e zjarreve në vend.

Siaps Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile gjatë 24-orëve të fundit janë evidentuar pesë vatra zjarri, nga të cilat tre janë ende aktive dhe dy të tjera po mbahen nën monitorim.

Situata sipas zonave të prekura:

Bulqizë: Vatra e zjarrit në Ternovë, njësia administrative Zerqan, po mbahet nën kontroll nga shtatë efektivë të MZSH-së, të cilët po punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të flakëve për shkak të trungjeve të thata që vijojnë të digjen.
Fushë-Arrëz: Në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit, situata është drejt normalizimit. 50 trupa të Forcave të Armatosura janë angazhuar në terren, të shpërndarë në dy grupe për izolimin e plotë të zjarrit. Aktualisht flakët janë shuar, por puna vijon për të eliminuar çdo rrezik riaktivizimi.
Tiranë: Në Malin e Bërzhitës, në fshatrat Ibë dhe Durisht, zjarri është shfaqur në një zonë të thellë e me terren të vështirë. Sipas raportimit, ai nuk paraqet rrezik për banesat apo sipërfaqet pyjore.
Pezë: Helmas: Zjarri i nisur më 10 gusht në fshatrat Damjan dhe Isufaj dhe i përhapur më pas edhe në zonën e Pezës vijon të mbetet aktiv në disa vatra të minimizuara. Ato po mbikëqyren nga afër deri në shuarjen e plotë.
Kolonjë: Në Parkun Natyror të Gërmenjit, situata është qetësuar ndjeshëm falë ndërhyrjes së forcave operacionale, si dhe reshjeve të shiut të rëna pasditen e djeshme.
Ministria e Mbrojtjes bën apel për vigjilencë dhe bashkëpunim të qytetarëve në raportimin e çdo vatre të re zjarri, duke theksuar se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura.