Policia e Divjakës dhe Mallakastrës ka identifikuar dhe vënë në pranga dy shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në fshatin Mërtish dhe Belishovë.

Policia bën me dije se si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Divjakë dhe Mallakastër arrestuan në flagrancë autorët përkatës.

Sipas Policisë, në Divjakë, u arrestua shtetasi K. A., 65 vjeç, banues në fshatin Korije, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 170 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi.

Gjithashtu, në njoftimin e Policisë thuhet se në Mallakastër u arrestua shtetasi P. J., 41 vjeç, banues në fshatin Belishovë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e ferrave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.