Një raport shkencor i publikuar të enjten tregon se vala e të nxehtit që përfshiu Norvegjinë, Suedinë dhe Finlandën në korrik ishte 2 gradë Celsius më i lartë për shkak të ndryshimeve klimatike.
Studimi i organizatës ndërkombëtare World Weather Attribution (WWA) krahasoi valën e fundit të të nxehtit me kushtet e motit në periudhën paraindustriale.
Spitale të shumta u detyruan të anulojnë ndërhyrje kirurgjikale dhe kishin vështirësi për të mbajtur ambientet e tyre të ftohta. Për më tepër, vala e të nxehtit përkoi me sezonin e pushimeve, duke lënë strukturat mjekësore me staf të reduktuar.
“Kjo valë e të nxehtit ishte e pamëshirshme. Dy javë me temperatura mbi 30°C në këtë rajon janë të pazakonta dhe natyrisht shumë shqetësuese”, tha Clair Barnes, studiuese në Qendrën për Politika Mjedisore në Imperial College London dhe një nga autoret e raportit.
Efektet ishin të menjëhershme edhe në natyrë. Ekosistemet u përmbysën, me drerët që u larguan nga zonat rurale dhe u drejtuan drejt qyteteve për të gjetur ujë dhe për t’u shpëtuar insekteve. Këto ndryshime në modelet e migrimit ndikojnë drejtpërdrejt jetesën e komuniteteve lokale, përfshirë barinjtë Sámi që merren me rritjen e drerëve.
Studiuesit paralajmërojnë se situata pritet të përkeqësohet më tej në vitet në vijim nëse ndryshimet klimatike nuk frenohen.