Në orën 21:00 (me kohën tonë) në Alaskë do të mbahet takimi i shumëpritur mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin.
Kryetemë do të jetë Ukraina, për t’i dhënë fund luftës që vijon prej disa vitesh. Liderët do të diskutojnë për kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve, teza që kanë qarkulluar prej kohësh.
Trump-Putin do të takohen ‘kokë më kokë’ fillimisht, më pas do të pasohet nga një takim i delegacioneve dhe drekë pune.
Përpara samitit, Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se beson që Vladimir Putin dëshiron të arrihet paqe në Ukrainë, dhe shtoi se Presidenti rus nuk do të “luajë lojëra” në takimin e tyre në Alaskë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nëse nuk ka mirëkuptim në diskutim, atëherë takimi do të përfundojë brenda pak minutave.
“Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo,” u tha Trump gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë të enjten.
“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë do të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt,” theksoi ai.
Dy presidentët pritet të diskutojnë edhe tema të tjera përveç Ukrainës, kryesisht për marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve.
Ndërkohë nuk është ende e qartë nëse pas takimit mes tyre do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp Trump-Putin. Një ide e tillë ka qarkulluar në shtypin ndërkombëtar, por asgjë zyrtare ende.