Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e transformimit të plotë të Banjave të Bënjës, një prej destinacioneve kryesore turistike në zonën e Përmetit dhe Këlcyrës. Përmes një postimi në Facebook, ai ka ndarë pamjet e projektit që po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me synimin për të përmirësuar shërbimet bazë dhe përvojën turistike në këtë zonë termale.
Rikualifikimi përfshin përmirësimin e infrastrukturës si parkimi, furnizimi me ujë dhe krijimin e ambienteve rekreative, ndërsa po punohet edhe për një model të qëndrueshëm menaxhimi bashkë me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse.
“Transformimi tërësor i Banjave të Bënjës ka nisur, ku me ndërhyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit po zbatohet projekti që përmirëson përvojat turistike në Ujërat Termale të Bënjës, një destinacion shumë i frekuentuar i hartës turistike të Përmetit e Këlcyrës, ku është i nevojshëm rikualifikimi për të garantuar disa shërbime bazë si parkimi, furnizimi me ujë, shërbimet, por edhe një ambient më rekreativ, ndërsa me bashkitë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe me Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës vijon puna për një model menaxhimi të qëndrueshëm të këtij investimi”, ka shkruar kryeministri Rama.