Të rinjtë që mbarojnë klasën e 9-të kanë tani një mundësi të artë për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme në sektorin bujqësor, përmes arsimit profesional në një nga tre drejtimet më të kërkuara në treg: bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri me dije se tashmë kanë nisur regjistrimet në arsimin profesional, teksa i ftoi nxënësit të zgjedhin arsimin profesional bujqësor për punësim të sigurt.
“Nxënësit mund të regjistrohen në një nga shkollat profesionale bujqësore që janë në 5 qarqe të vendit: Shkolla profesionale “Rakip Kryeziu”, Fier; Shkolla profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik; Shkolla e mesme profesionale Kamëz; Shkolla Profesionale Shërbime, Korçë; Shkolla profesionale “Ndre Mjeda”, Bushat dhe shkolla profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem”, tha Denaj.
Ministrja i ftoi të rinjtë të investojnë në dije për t’u bërë pjesë e zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme në Shqipëri, teksa njoftoi se, regjistrimi bëhet lehtësisht përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.