Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK ka ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha antidrogë të viteve të fundit, duke goditur një organizatë kriminale shqiptare që vepronte në shkallë globale.
Sipas SPAK, organizata ishte e përfshirë në trafikimin e sasive shumë-tonëshe të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve më të mëdha të Bashkimit Europian, si dhe në pastrimin e parave përmes rrjeteve të sofistikuara financiare.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me EUROPOL-in dhe autoritete ligjzbatuese nga Gjermania, Belgjika, Franca, Holanda dhe Italia.
Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023 dhe janë mbështetur mbi analizën e komunikimeve të koduara në aplikacionin “Sky ECC”.
“Hetimet kanë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun dhe Anversin”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjykata e Posaçme ka miratuar 16 masa sigurie, ku për 14 persona është caktuar “arrest në burg”, ndërsa për 2 të tjerë “detyrim për t’u paraqitur”. SPAK konfirmon se gjatë ditës së sotme janë ekzekutuar 9 nga këto masa, përfshirë edhe një nga drejtuesit e grupit. Ndërkohë, një tjetër i hetuar i konsideruar drejtues i organizatës është aktualisht i arrestuar në një vend të Bashkimit Evropian.
Ndaj Franc Çopjes dhe Ervin Çelajt është lëshuar masë e re sigurie. Emrat e tyre janë përfshirë në komunikimet e dekriptuara në Sky ECC, ku dyshohet se kanë komunikuar për organizimin dhe financimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
SPAK sqaron se dy ngarkesa të mëdha kokaine janë goditur gjatë hetimeve ndërkombëtare:
11.6 ton kokainë në Anvers, Belgjikë, fshehur në kuti sapuni dhe boje me logon “Fox”, të nisura nga Paraguaji në 2020, nga të cilat janë sekuestruar vetëm 600 kg.
16.4 ton kokainë në Hamburg, Gjermani, të fshehura në bombola metalike me logo të tilla si “Puma” dhe “sy me rrufe”, të sekuestruara në shkurt 2021.
Sipas Prokurorisë, vetëm ngarkesa në Hamburg kishte një vlerë tregu nga 1.5 deri në 3.5 miliardë euro, duke përbërë një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e trafikut të kokainës në Evropë.
Sipas hetimeve, grupi kriminal kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut nga prodhimi në Amerikën Latine, përpunimi dhe magazinimi në Paraguaj, transporti ndërkombëtar përmes konteinerëve detarë, deri te shpërndarja dhe pastrimi i parave në Shqipëri dhe jashtë saj.
Grupi përdorte sistemin informal të transferimit të parave “hawala”, ndërsa një nga metodat më të përdorura ishte transporti fizik i shumave të mëdha “cash” përmes shoferëve të autobusëve nga BE në Shqipëri. Shoferët paguheshin me një komision prej 2% të shumës së transportuar.
Pasuritë e sekuestruara, resorte, vila, toka dhe 3 automjete luksi
Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 7 gusht 2025, janë vendosur masat e sekuestrimit preventiv për 14 pasuri në vlerë miliona euro, përfshirë:
“A… PARK” Resort në Xhafzotaj, Durrës;
Vila në Dhërmi me sipërfaqe 378 m² dhe vlerë tregu 1 milion euro;
Vila e porositur në Tiranë;
Toka dhe ndërtesa në Sharrë, Tiranë;
Kuota në shoqëri tregtare në Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë;
Tre automjete luksoze.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu 111.800 euro cash, 4000 dollarë amerikanë dhe 880.000 lekë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me EUROPOL, Eurojust dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nga Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia.
Një falënderim i veçantë nga SPAK u është drejtuar hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH dhe Policisë së Shtetit për punën voluminoze dhe ekzekutimin e masave të sigurisë.