Më 19 maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij non grata, duke e akuzuar për korrupsion të rëndësishëm dhe minimin e proceseve demokratike. Vendimi u mbështet në nenin 7031(c) të ligjit amerikan, që ndalon hyrjen e zyrtarëve të korruptuar në SHBA.
Berisha i hodhi poshtë akuzat, duke fajësuar qeverinë Rama dhe fondacionin “Soros” për lobim kundër tij. Nën presionin e Uashingtonit, ish-kryetari i PD Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar, çka shkaktoi përplasje të ashpra brenda partisë dhe kulmoi me protestat e dhunshme të 8 janarit 2022.
Në vitin 2022, edhe Britania e Madhe i ndaloi hyrjen, ndërsa një vit më pas SPAK e mori të pandehur për aferën e “Partizanit” dhe e vendosi në arrest shtëpie.
Para zgjedhjeve të vitit 2025, Berisha raportohet se ka paguar 6 milionë euro për të hequr statusin non grata. Megjithatë, raportet e fundit të DASH jo vetëm që nuk e ndryshuan vendimin, por e konfirmuan atë.
Sot, ndërsa betejat ligjore vijojnë, vendimi i SHBA dhe Britanisë mbetet në fuqi, duke mbajtur gjallë një prej çështjeve më të debatuara në politikën shqiptare. /TemA/