Nga Nikoll Lesi/

Sot policia e shtetit nuk ka lejuar hyrjen e punonjësve dhe gazetarëve të news24 dhe mediave të tjera të Irfan Hysenbelliut në një ndertesë që është shtetrore.

Kjo historia e përplasjes së shtetit me news24 për këtë godinë shtetrore të dhënë me qera për shumë vite, ka kohë që thuhet nga mediat e Irfanit si inat qeveritar.

Një gazetar i njohur, opozitar, me mori në celular sot, fill pas kësaj ngjarje dhe me pyeti se “A ngjason ky rrethim i news24 me rrethimin e redaksisë së gazetës KOHA JONE natën e 3 marsit 1997?”.

Dhe iu përgjigja shkurt: JO!

Me pas kolegu i mirë mbylli celularin. Shikova nëse e ka publikuar përgjigjen time, dhe vërej se jo.

Meqënëse me pyeti miku im koleg, që punon për një media të Partisë Demokratike, me duhet të shpjegohem për publikun, edhe si botues i gazetës me të madhe të pavarur në historinë e medias shqiptare, gazetës KOHA JONE.

Përplasja e sotme polici-news24 ose me saktë polici-pronar media nuk ka të bëjë me zhurmën se shteti po dhunon median e lirë apo bërtimat e disave nga selia Blu apo edhe të mikes time të mirë, ish-deputetes Dhurata Çupi e cila tha se ”Heshtja sot për News 24 është heshtje për çdo media që mund të jetë nesër në të njëjtin fat. Prandaj duhet reagim shoqëror”.

Me lejoni ta them që të mos keqkuptohem nga ata që nuk lexojnë kurrë deri në fund një shkrim: Kurrsesi nuk jam dakort me hakmarrjet apo ndëshkimet qeveritare, kushdo që të jetë në pushtet!

E në këtë rast duhet një sqarim nga strukturat përgjegjëse shtetrore nëse ka patur lajmërim me shkrim ndaj kompanisë mediatike, ose me saktë ndaj pronarit të news24, etj zotit Irfan Hysenbelliu për lirimin e zyrave shtetrore të dhëna, dikur, me qera?

Ndërsa godina mbetet pronë e qeverisë dhe çdo qeveri e di se si e menaxhon pronën e saj!

Prapë pak fjalë për Irfan Hysenbelliun. Po e bëj se prapë ka disa që nuk durojnë deri në fund, të lexojnë!

Irfani, që është pronar i news24 dhe disa mediave të rëndësishme në vend, mbetet një nga pronarët mediatikë dashamirës dhe njerëzor me punonjësit e medias së tij. Njeri inisiatorë, kërkues dhe asnjëherë i kënaqur nga arritjet e tij të mëdha në jetë.

Por e verteta mbetet një; shteti e ka pronë të tij godinën e news24. Dhe ka një plan për ta kthyer në një objekt prodhimi ushtarak.

A ishte me paramendim qeveritar rimarrja e godinës, pra mbyllja e kontratës së qerasë, apo jo; kjo ha debat. Sikurse thuhet se kontrata e qirasë kishte mbaruar dhe ministria nuk ia ka ripërtërirë.

Dhe e bëri ligjërisht!

Ku është dhuna në këtë rast?!

Të lajmërova, mos hyjë brenda dhe nuk të lejojë!

Nëse ishte godinë private, atëhere dal dhe unë të dera e news24 me kolegët kundra Edi Ramës. Nëse i kanë hequr liecensen televizionit kanë të drejtë gazetarët e news24, jo vetëm të protestojnë, por edhe të hyjnë në kryeministri.

Shumë mirë, Irfani i famshëm, si ndërtues dhe mbetet një nga ndërtuesit me cilësorë në Tiranë, mund të kishte ndërtuar një godinë private për mediat e tij.

Nëse bashkia apo qeveria nuk do ti kishin dhënë leje ndërtimi për një godinë private mediatike, atëhere ka të drejtë Irfani. Nëse AMA, pra indirekt qeveria, do ti kishin hequr licensën e televizionit, atëhere ka të drejtë Irfani.

Ndaj krahasimi me rrethimin e djegien e plotë të redaksisë së gazetës KOHA JONE me 3 mars 1997 nuk ka asnjë krahasim me ngjarjen e sotme te news24.

Shumica e di, por sidomos rinia e sotme, e cila atëhere nuk kishte lindur, duhet t’ju them se ishte policia e shtetit, sherbimi sekret shtetror (SHIK) dhe Garda e Republikës me 3 mars 1997 që hynë me forcë në orën dy të natës në zyrat e gazetës KOHA JONE; qëlluan me automatik muret, dogjën me napalm kompjutera, tavolina; gjithçka. Morën me vete me dhunë gazetarin Zamir Dule që flinte në zyrat e KOHA JONE. Rrëmbyen shoferin e gazetës Anesti Nikolla. I dërguan me dhunë në komisariatin numër tre dhe i rrahen në qelitë e tyre. Zamir Dulen e sakatuan dhe nuk u bë më njeri, derisa ndërroi jetë në Korçë.

Zyrat e shkrumbuara të KOHA JONE sollën që gazeta për 42 ditë të mos dilte në treg.

Ishte shteti, autori. Dhe kjo e vertetuar nga gjykata e lartë pas 19 viteve nga ngjarja, në dhjetor 2016, u pranua se redaksia e gazetës më të madhe shqiptare u shkatërrua nga shteti.

Të mos përmend përplasjen e madhe me kryeministrin Fatos Nano ndër vitet 2003-2005, që çfarë nuk bëri ndaj gazetës KOHA JONE. Të gjitha poshtërsitë e botës!

Natyrisht që dhuna shtetrore ka forma e nuanca të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Jam krejt i qartë për këtë!

Por doja ta sqaroja kolegun tim që bëri krahasim të pakrahasueshëm.