Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa pamje mahnitëse nga fshati i Qeparosë.

Kreu i qeverisë teksa fton të gjithë të vizitojnë këtë vend midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit, shprehet se çdo gur në Qeparo ruan kujtimet e shekujve, ndërsa aroma e agrumeve të përqafon me freskinë e saj.

“Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit, me ftesën për një ecje nëpër rrugicat me kalldrëm të fshatit të vjetër, ku guri ruan kujtimet e shekujve, ndërsa aroma e agrumeve të përqafon me freskinë e saj.

Video nga Pandeli Ceco, pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels “Ëanderlust in Albania 2” nga Agjencia Kombëtare e Turizmit”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Qeparoi konsiderohet nga fshatrat më të vjetër të bregdetit shqiptar dhe ofron dëshmi të jetës dhe kulturës së banorëve vendas, ndër shekuj.

I ndarë midis një fshati të lashtë në majë kodre dhe një vendbanimi më të ri buzë plazhit, Qeparoi ofron destinacionin më të mirë turistik për vizitorët.

Fshati i sipërm ruan shtëpi tradicionale prej guri dhe ullishte, ku familjet kanë jetuar për breza me radhë. Qendra historike e këtij fshati përfshin disa monumente kulture të shpallura, mes tyre banesa tradicionale dhe objekte fetare.

Ndërsa pjesa e poshtme ofron akses në plazh me shëtitoren e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare.