Ditët e pelegrinazhit në majën e Malit të Tomorrit, në Kulmak, të njohura si ditët e shenjta të bektashinjve, bashkojnë çdo vit në Teqenë e Kulmakut mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, diaspora e bota.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky pelegrinazh, i cili këtë vit zhvillohet në datat 18-25 gusht.

“Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, tradita që mbledh çdo vit qindra e mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, për të ndjerë së bashku fuqinë shpirtërore të këtij vendi të shenjtë”, u shpreh kryeministri Rama.

Çdo vit në Teqenë e Kulmakut mbërrijnë me mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria por edhe nga vise të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Për mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi si dhe shmangien e aksidenteve në rruge, Policia e Beratit ka hartuar një plan masash duke patrulluar në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Gjerësisht mendohet se në malin e Tomorrit gjendet varri i Abaz Aliut, një martir i besimit të tij, por ka pretendime të tjera që thonë se varri i kësaj figure legjendare që ka jetuar mbi 1400 vjet më parë, të gjendet në Qerbela. Gjithsesi Abaz Aliu ka hyrë në kulturën shqiptare si një personalitet i jashtëzakonshëm dhe mrekullibërës. Besimtarët e komunitetit bektashi e kanë Abaz Aliun një figurë tej mase të adhuruar.