Media me bazë në Bruksel, Politico.eu i ka kushtuar një artikull kryeministrit Edi Rama këtë të hënë dhe përpjekjeve të tij për të luftuar informalitetin në vend. Artikulli shkruan për mënyrën sesi përdoret leku në Shqipëri dhe sa i përdorin bankat dhe kartat bankare shqiptarët.
Politico.eu shkruan se në një vend ku “paraja në dorë është mbret”, ambicia e kryeministrit Rama për të zhdukur përdorimin e saj deri në vitin 2030 do të ndryshojë rrënjësisht shoqërinë shqiptare. Gazetarja Alice Taylor, e cila e ka përjetuar nga afër realitetin shqiptar duke qenë se jeton këtu prej vitesh, shkruan se për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar të mbajnë paratë jashtë bankave, “shpesh nën dyshek” dhe larg sistemit formal financiar, një reflektim i pasigurisë së krijuar nga trauma post-komuniste dhe skemave piramidale të viteve ’90 që shkatërruan besimin te institucionet.
Taylor shkruan se sistemi bankar në Shqipëri është i shtrenjtë dhe i paaftë për të fituar besimin e qytetarëve, të cilët preferojnë pagesat me para në dorë dhe nuk përdorin mjaftueshëm kartat apo shërbimet dixhitale.
Ky artikull i Politico-s thekson sesa e rëndësishme është rindërtimi i besimit në sistemin bankar dhe futja e teknologjive moderne për të mundësuar kalimin drejt një ekonomie më transparente dhe efektive në Shqipëri.
Artikulli i plotë
Kryetari i Shqipërisë nxit ëndrrën për shoqërinë e parë pa para cash
Në një vend ku “paraja në dorë është mbret”, ambicia e kryeministrit Edi Rama për të zhdukur përdorimin e saj deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht shoqërinë.
Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre nën dyshek, pranë AK-47-shit (kallashit) të tyre, siç thuhet në shakanë kombëtare, në vend që t’i mbajnë në banka. Por nëse Rama dëshiron, Shqipëria do të bëhet ekonomia e parë pa para cash në botë.
Një pjesë e madhe e arsyes për këtë është se për momentin shumë transaksione ndodhin nën banak. Eliminimi i parave cash “është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, tha Selami Xhepa, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës.
Problemi është se sistemi bankar dhe shoqëria mund të mos jenë gati për të ndërmarrë këtë hap.
Shumica e shqiptarëve preferojnë t’i menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur kartëmonedhat në vende të padukshme dhe duke këmbëngulur në pagesat me para në dorë sa herë që është e mundur.
Edhe në guidat turistike për Shqipërinë, shprehja “paraja është mbret” shfaqet shpesh si këshillë për vizitorët. Edhe pse shumica e dyqaneve zinxhir ose restoranteve më të mëdha pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë e telekomunikacionit dhe dyqanet ushqimore nuk e bëjnë këtë.
Në një dyqan rrobash në qendër të Tiranës, kur POLITICO u përpoq të paguante me një kartë dixhitale, arkëtari dukej i hutuar dhe pyeti, “para në dorë?”
Ishte një histori e ngjashme në taksi dhe në autobus, kur fatorino përsëriti me zë të lartë, “40 lekë”.
Qeveria e majtë dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkroi si një “ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën (për të mos përmendur uljen e të ardhurave tatimore).
Vlerësimet e vendosin ekonominë gri – pjesën e ekonomisë që nuk përfshihet në statistikat zyrtare – në midis 29 dhe 50 përqind të produktit të brendshëm bruto.
Spiro Brumbulli, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Shqiptare, i tha POLITICO-s se qeveria dhe institucionet do të hartojnë një plan për të hapur rrugën për një kalim pa para në dorë, me hapat e mëtejshëm që përfshijnë një kufi për blerjet e bëra me monedhë fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor dhe lançimin e pagesave të menjëhershme SEPA menjëherë pas kësaj.
Trauma post-komuniste
Idetë për të shkuar drejt një shoqërie gjithnjë e më pak me para në dorë po ndiqen nga shumë vende të zhvilluara, si Suedia, Estonia dhe Irlanda. Shqipëria është një çështje tjetër, megjithatë, dhe skepticizmi i publikut është i kuptueshëm.
Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me “kompani investimi,” filluan të shfaqen duke premtuar norma interesi të pabesueshme deri në 19 për qind mbi depozitat.
Disa firma u zgjeruan shpejt në më shumë se 25, dhe në kulmin e kësaj mëndje, një në gjashtë shqiptarë kishte investuar para, në shumë raste, gjithë kursimet e tyre të jetës, në skemat piramidale. Investitorët e hershëm merrnin shpërblime të bollshme, por ato u bënë më të vogla dhe më të rralla ndërsa sistemi u shemb nën peshën e vet.
Në janar 1997, firmat e para filluan të kolapsojnë, duke shtyrë shqiptarët të përpiqeshin të tërhiqnin fondet masivisht, duke krijuar një cikël të keq të kolapsit të mëtejshëm. Në mars, vendi ishte në kaos, dhe kishte filluar rebelimi. Ushtarë dhe policë braktisën postet, dhe turma shqiptarësh të zemëruar dhe të varfër akuzuan qeverinë për mosndaljen e mashtrimeve dhe madje për përfitim prej tyre.
Rreth 2 mijë persona u vranë në përleshje mes qytetarëve dhe autoriteteve, dhe nga banda të armatosura me më shumë se një milion armë të grabitura nga depozitat shtetërore. Në total, u humbën rreth 1.2 miliardë dollar, ekuivalente me gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në atë kohë.
Kjo periudhë shkaktoi valë migrimi, vonoi vendin për shumë vite në zhvillimin e tij, dhe shkatërroi besimin e qytetarëve te institucionet bankare dhe shteti.
Bankat e shtrenjta
Gjatë pothuajse tre dekadave të fundit, bankat kanë dështuar në rindërtimin e besimit.
Pjesë e problemit, thotë profesori Xhepa, është se bankat ofrojnë pak përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo i dekurajon njerëzit të hapin llogari dhe të përdorin karta bankare dhe transfertat digjitale.
Shumica “kanë mbajtur norma interesi diskriminuese,” thotë ai. “Të larta për huatë dhe shumë të ulëta për kursimet.” Ai shton: “Pagesat ndërkombëtare gjithashtu kanë tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët.”
Pagesat digjitale brenda bankave shqiptare kanë tarifa të larta transaksioni (kostoja për dërgimin e 500 eurove ishte deri në 50 euro për këtë gazetar të POLITICO-së), ndërsa tarifat për forma të tjera transaksionesh janë po aq shtrenjta.
Kursi i këmbimit i bankave mes lekut dhe euros është gjithashtu i njohur për konkurrencën e ulët.
Edhe në biznes, shumë kompani ankojnë për pagesat deri në 3.5 për qind për transaksion për përpunimin e kartave.
Brumbulli nga shoqata e bankave thotë se disa biznese madje ngarkojnë klientët me tarifa shtesë për pagesën me kartë.
Kjo ndihmon bizneset të shmangin taksat, pasi pagesat me para në dorë shpesh nuk regjistrohen në kasë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, refuzoi të komentojë.
Ndërsa ambicia për të shkuar drejt një shoqërie pa para në dorë deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi varet ende nga prezantimi i infrastrukturës digjitale të pagesave me kosto të ulët dhe të lehtë për t’u aksesuar, potencialisht duke përfshirë një monedhë digjitale të bankës qendrore ose një platformë kombëtare për pagesa të menjëhershme.
Megjithëse Banka e Shqipërisë ka studiuar monedhat e tilla dhe stablecoin, një lloj kriptomonedhe, si mjete të mundshme, nuk ekziston ende një plan zyrtar. Pa një plan të qartë për këto mekanizma, plani i Ramës rrezikon të mbetet thjesht një aspiratë.