Në videokonferencën e djeshme, Donald Trump, sipas të dhënave jozyrtare, ka pranuar dy kërkesat kryesore të paraqitura nga Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë. E para: do të jenë vetë ukrainasit ata që do të vendosin për fatin e territoreve të tyre të pushtuara. E dyta: amerikanët janë të gatshëm të ofrojnë, së bashku me evropianët, garancitë e sigurisë për ta mbrojtur Ukrainën nga sulmet e ardhshme.

Këto janë rezultatet politike më të rëndësishme, të cilat tani do të duhet të verifikohen në praktikë, duke filluar pikërisht nga samiti i shumëpritur i nesërm mes presidentit amerikan dhe Vladimir Putin.

Liderët evropianë kanë rënë dakord për një plan me pesë pika, të cilin më pas ia kanë paraqitur presidentit të Shteteve të Bashkuara. Me një parathënie metodologjike: roli i amerikanëve mbetet thelbësor për të testuar synimet e vërteta të Putinit. Trump dhe evropianët, pra, janë pajtuar për hapin e parë: “Asnjë negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën”. Së dyti: nuk diskutohet për kufijtë nëse Zelensky nuk është në tryezë. Së treti: bisedimet duhet të nisin nga linja e frontit në terren. Së katërti: çdo lëshim ndaj Rusisë duhet të balancohet me garanci të forta mbrojtjeje ushtarake për Kievin. Së pesti: duhet mbajtur lart presioni mbi Moskën përmes sanksioneve.