Nga Çapajev Gjokutaj
Mes lajmeve të kësaj jave të mbetet në mend sulmi me armë kundër një kopeje prej 22 kuajsh, sulm që “u kurorëzua” me vrasjen e katër prej tyre dhe plagosjen e tre të tjerëve. Duket e çuditshme që vrasja e kuajve të tërheqë më shumë vemendje se vdekjet e përditshme të një numri njerëzish në aksidente automobilistike apo vrasjet kriminale që njoftohen thuajse çdo javë.
Po mbase mësymja e armatosur kundër një kopeje kuajsh, ndërkohë që ata po kullosnin qetësisht në një lirishtë malore të zonës Dukat – Llogora, preston të bëhet lajm pikërisht ngaqë është ngjarje jo fort e zakonshme dhe rrjedhimisht edhe tejet e rrallë.
Në fakt më shumë se vrasje ngjante me një pushkatim. Kuajt e gjorë u vranë e u lavosën sepse i kishte dënuar lakmia. Thuhet që pushkatuesit, të paisur me armë gjahu, përgjakën kopenë për arsye konkurrence: pronari i tufës së sulmuar po synonte pjesën e vet në tregun e kalërimit turistik. Me një fjalë kuajt u dënuan dhe u ekzekutuan në emër të makutërisë.
Është gjë e mirë që turizmi po krijon vende pune, madje po nxit edhe veprimtari të reja siç është në këtë rast kalërimi turistik. Po as në ëndrra nuk mund ta mendosh që një veprimtari zhvilluese dhe civilizuese si turizmi të nxisë instikte të lashta kafshërore. Ndjesë do thenë instikte shtazarake se kafshë ishin edhe kuajt e gjorë dhe jo rrallë kafshët shfaqen më fisnike se ca e ca syfete dykëmbshash.
Vendndodhja e këtij krimi më solli në mend kujtimet e një ushtaraku anglez që gjatë L2B kaloi disa muaj në atë zonë. Mes të tjerash ai vinte re se shqiptarët sillen keq me gratë dhe kafshët shtëpiake. Goxha rrugë kemi bërë, dikur silleshim keq, tani i pushkatojmë…
Lenë mënjanë cinizmin që ky akt vandal të ngjall vetiu, një gjë bëjmë mirë ta përsërisim me forcë: makutëria, zilia, dëshira për fitime të shpejta e të paligjshme janë brenda njeriut, por përhapen e marrin dhenë si bari i keq kur gjejnë kushte të favorshme. Historia ka dëshmur e dëshmon se vese të tilla mund të bëhen zap sadokudo vetëm kur komuniteti dhe shteti u kundërvihen fuqishëm. Opinioni, ligji dhe zakoni janë dëshmuar si mjetet më efikase për t’u prerë rrugën instikteve shtazarake që, duam apo s’duam, gjallojnë brenda shumë prej nesh.