Nga Toni Drishti/
Sali Berisha u shfaq në konferencën e kësaj së hëne përballë gazetarëve dhe sa herë që do të ketë pyetje ai do të përballet me çarkun e retorikës së vet.
Themi sa herë që do të ketë pyetje, sepse rrallë Berishës i bëhen pyetje të arsyeshme dhe analitike, duke qenë se shumë herë më tepër i ngrihet topi, ndërsa atij i ngelet vetëm për ta gjuajtur. Për të mos folur pastaj për rastet kur fillon akuzon dhe sulmon gazetarët që i bëjnë pyetje.
Nejse, le t’i kthehemi argumentit tonë, që ka të bëjë me qorrsokakun ku e ka futur Sali Berisha partinë më të madhe në opozitën më të gjatë që ka përjetuar ndonjëherë një parti politike në Shqipëri.
Nga një anë, deklaroi se PD-ja që ai drejton nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet, ndërsa, nga ana tjetër, u shpreh se beteja do të zhvillohet kudo, përfshi edhe Kuvendin.
Pra, Berisha bën sikur nuk i njeh zgjedhjet, ndërkohë do shkojë në Parlament, do bëjë betimin si deputet, do caktojë Komisionet Parlamentare, do përaktojë se kush do të jetë nënkryetar i Kuvendit nga radhët e opozitës, pastaj, pasi t’i bëjë të gjitha këto, do dalë përjashta godinës dhe do hedhë ‘baltë’ mbi Parlamentin e krimit dhe të bandave, që ka dalë si rezultat i farsës zgjedhore që ai dhe PD-ja nuk do ta njohë kurrë.
Të jemi të sinqertë me lexuesin, Berishës nuk është se nuk i kanë ecur këto ‘perla’ të inkoherencës mentale dhe politike, por nëse do fillohet të mendohet dhe të ngrihen pyetje, thjesht do shfaqet ‘mbreti’ lakuriq.
Në fakt, e gjithë retorika dhe aksioni politik i Berishës nuk ka qenë asnjëherë për të ofruar një alternativë apo zgjidhje për demokratët apo qytetarët. Ai thjesht ka qenë për mbijetesën e tij në përballjen me drejtësinë. Pavarësisht qorrsokakut ku e ka futur PD-në, nuk mund të themi se nuk ia ka dalë pjesërisht edhe ta mbajë larg drejtësinë nga vetja dhe familja e tij. Aq sa ka mundur, por ia ka arrirë./Tema