Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar aktin heroik të efektivëve të policisë gjatë kohëve të fundit, i pari Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Delvinë më 25 korrik dhe i dyti Klajdi Mustaj, që shpëtoi 3 udhëtarë teksa makina e tyre mori flakë në ecje, në aksin Levan-Fier.
Kreu i qeverisë tha sot nëpërmjet një postimi në rrjetin Instagram, se Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, por ehde nga gra, vajza, djem dhe burra që punojnë me përkushtim dhe nga heronj si dy rastet e mësipërme.
“Kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë, por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim, në mes të të cilëve ka edhe heronj si Agim Troci, i cili u hodh në zjarr për të shpëtuar nga zjarri të tjerët apo si Klajdi Mustaj, të cilit i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier”, shkruan kryeministri.
Ai e shoqëron postimin edhe me pamjet e momenteve kur polici Mustaj merr në krah udhëtarët e plagosur dhe i largon nga rreziku i flakëve, duke pësuar edhe vetë dëmtime, me djegie në duar.
Kurse Agim Troci, shef i Komisariatit të Delvinës, mbeti i plagosur teksa luftonte me flakët në zonën e Delvinës më 25 korrik. Ai u dërgua me urgjencë për mjekim në spital, pasi u asfiksua gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve në Kopaçëz.
Kurse efektivi 26-vjeçar Klajdi Mustaj, shpëtoi personat në një automjet që u aksidentua në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” në Fier mbrëmjen e së premtes dhe rrezikoi të shpërthente në flakë.