Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një intervistë për Fox News, deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të jetë “fleksibël” në negociatat për paqen dhe se vendimi për një zgjidhje i takon vetëm atij dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Janë ata që duhet të marrin vendimet. Le t’i lëmë të takohen”, u shpreh Trump, duke shtuar se “shpreson që Putin të jetë i arsyeshëm, përndryshe situata do të përkeqësohet”.
Në të njëjtën intervistë, Trump nënvizoi se SHBA nuk do të vendosë trupa tokësore në Ukrainë. “

Nuk do të ketë amerikanë në terren, e keni garancinë time si president,” theksoi ai. Megjithatë, ai la të kuptohet se mund të ketë një formë tjetër garancie sigurie për Ukrainën, “ndoshta përmes rrugës ajrore”.

Trump po ashtu përsëriti se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s, duke shtuar se vende si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshme të dërgojnë trupa në Ukrainë.
“Nuk besoj se kjo do të jetë një problem i madh Putin është i lodhur, të gjithë janë të lodhur por nuk i dihet,” përfundoi ai, duke shtuar se “javët në vijim do të tregojnë nëse Putini është i interesuar për një marrëveshje”.