Biznesmeni shqiptar Rezart Taçi është dënuar me 30 muaj burgim nga një gjykatë në Zvicër për mashtrime financiare në lidhje me tregtinë e naftës.
Nga këto, 24 muaj janë me kusht dhe do të zbriten edhe 195 ditë të kaluara më parë në paraburgim në Zyrih.
Dënimi është dhënë nga Gjykata Penale e Gjenevës për një sërë mashtrimesh që lidhen me aktivitetin e tij në industrinë e naftës në vendin tonë, me lidhje të shumta edhe në Zvicër, raporton gazeta zvicerane ‘Le Temp’.
Sipas aktakuzës, Taçi ka kryer mashtrime të sofistikuaradhe falsifikime dokumentesh duke dëmtuar rëndë kompaninë ndërkombëtare të certifikimit SGS, e cila deri së fundmi kishte selinë në Gjenevë.
54-vjeçari i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, është gjykuar në mungesë.
Edhe pse ndodhet në arrati, njëri prej avokatëve të tij konfirmoi se e kishte kontaktuar së fundmi, dhe se biznesmeni ka pranuar akuzat ndaj tij. Gjyqi ndaj Taçit ishte zhvilluar në mungesë.
Taçi ka rënë dakord të dëmshpërblejë kompaninë SGS me 8.8 milionë dollarë, pa përfshirë interesat vjetore prej 5%, dhe do të mbulojë edhe një pjesë të kostove gjyqësore.
Rezart Taçi është i dyshuar prej të paktën katër vitesh në Shqipëri për pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar, përfshirë kontakte të dyshuara me mafien siçiliane.
Në kulmin e karrierës së tij, sipas mediave shqiptare, Taçi kishte gjeneruar deri në 1.5 miliardë dollarë nga aktivitetet e tij në tregtinë e naftës, të cilat i nisi në fund të viteve 1990 me themelimin e kompanisë “Taçi Oil”.
Sipas gjykatës, një nga skemat më të sofistikuara të mashtrimit përfshinte manipulimin e sasisë së karburantit në cisterna përmes instalimit të valvulave të fshehta, që lejonin shkarkimin e mallrave pa u vënë re nga SGS apo palët e tjera. Ai gjithashtu përdori dokumente të falsifikuara për të mbuluar mungesën e naftës.
Kujtojmë se Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në nëntor të vitit 2021, pasi u akuzua se ishte përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove./Shqiptarja.com