Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga ky aks i rëndësishëm, ndërsa vlerësoi se ky investim ka një impakt të madh jo vetëm për banorët e fshatrave përreth, Kir, Prekal, Shosh, Shalë, Bradhosh, Xhan, që i lidh me Shkodrën.

Rama thotë në mesazhin e tij, se ky investim mundëson edhe kompletimin e gjithë rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë rurale.

Rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj, është një ndër segmentet me të rëndësishme të veriut të vendit, që lidh Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës si dhe me Gjakovën në Kosovë.

Rruga është ende në ndërtim e sipër, ku aktualisht është mbyllur loti 1, Prekal-Kir prej 17 km, dhe ka filluar loti i dytë, Kir-Ndërlysaj.

Ky është një projekt i rëndësishëm për veriun e Shqipërisë, që do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vijnë të zbulojnë Dukagjinin, dhe bukuritë e tjera të veriut të Shqipërisë.