Hetimet për vdekjen e aktorit të njohur të serialit Friends, Matthew Perry, kanë zbuluar mesazhe shqetësuese mes mjekëve dhe personave të tjerë të akuzuar për furnizimin e tij me ketaminë.
Sipas dokumenteve të bëra publike, një prej mjekëve të përfshirë, Dr. Salvador Plasencia, në një mesazh privat e ka quajtur aktorin “idiot” duke pyetur kolegun e tij se “sa do të ishte i gatshëm të paguante ky moron”. Në një tjetër komunikim, ai shprehej se donte të ishte “burimi kryesor” i Perry-t për ketaminë, duke treguar qartë se motivi kryesor ishte fitimi financiar dhe jo kujdesi mjekësor.
Prokurorët kanë theksuar se ky rast është një shembull i shfrytëzimit të varësisë së një individi nga profesionistë të shëndetit të nxitur nga lakmia, duke vënë në rrezik serioz jetën e aktorit. Përveç mjekëve, në rrjetin e furnizimit ishin përfshirë edhe asistenti personal i Perry-t, një regjisori dhe një furnizuese droge e njohur si “Ketamine Queen”, të cilët tashmë përballen me akuza të rënda.
Një pjesë e të akuzuarve kanë pranuar fajin ose janë në proces marrëveshjesh me drejtësinë, ndërsa dënimet e tyre pritet të shpallen në muajt e ardhshëm. Rasti ka hapur një debat të gjerë mbi etikën mjekësore, sigurinë e personazheve publikë dhe marrëdhënien shpesh të rrezikshme mes mjekëve dhe yjeve të Hollywood-it.
Matthew Perry u gjet i pajetë në tetor 2023 në shtëpinë e tij në Los Angeles. Shkaku i vdekjes u përcaktua si mbidozë aksidentale me ketaminë.