Ish-Kryeministri Sali Berisha i cilëson për herë të parë “krim shtetëror pa dashje” vrasjet e “21 Janarit” 14 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë, ku humbën jetën 4 protestues.
I pyetur nga gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, nëse ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e ka konsideruar krim shtetëror “21 Janarin”, Sali Berisha tha se e pranon që është krim shtetëror, por sipas tij ‘pa dashje’.
Berisha pranoi gjithashtu që nëse thirret për t’u pyetur nga SPAK, është i gatshëm të shkojë në hetuesi.
A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Pse? Se unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror është krim shtetëror me dashje dhe krim shtetëror pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe e pushkaton. Kur shteti jep urdhër këtë-këtë, kur s’duhet ta bëjë kurrë atë.
Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo. Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori. Ka një deklaratë tjetër, që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte axhendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor”, tha kryedemokrati Sali Berisha jashtë godinës së SPAK pasi u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani”.
Në trazirat e 21 Janarit 2011 mbetën të vrarë 4 protestues; Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Dedja dhe Faik Myrtaj, në kohën kur Kryeministër ishte Sali Berisha.
Kujtojmë se dosja e “21 Janarit” po hetohet nga SPAK, ku në procedimin penal janë regjistruar 3 akuza; vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim detyre dhe kryerje e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Mesa duket hetimet që SPAK po zhvillon për këtë krim të rëndë shtetëror të kryer në kohën e Sali Berishës, e kanë frikësuar ish-Kryeministrin duke bërë që ai të zbusë qëndrimin e ashpër dhe radikal që ka mbajtur ndër vite për “21 Janarin”.
Por teksa sot Sali Berisha e cilëson “krim shtetëror pa dashje”, le të sjelim në vëmendje se si kryedemokrati i ka konsideruar vrasjet e 21 Janarit nga viti 2011 e deri në ditët e sotme.
Në vitin 2011, fill pas mbylljes së demonstratës, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se protestuesit ishin vrarë nga brenda turmës me pistoleta çadër. Në funksion të këtij versioni, doli edhe një mjek i Spitalit Ushtarak, i cili tha se plagët e viktimave ishin shkaktuar nga afër. Por, vetëm disa orë më pas, kur u shfaq videoja e vrasjes së Ziver Veizit nga gardisti Agim Llupo, Berisha ndryshoi version, por shtoi se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit.
Vite më vonë pas ngjarjes tragjike që është shënuar në librin e historisë së Shqipërisë, në një intervistë televizive, Berisha justifikoi veprimet e Gardës duke deklaruar se “duhet të qëllonin për shkak se protestuesit goditën me gur Kryeministrinë”. Madje, Berisha shkoi më tej duke thënë se edhe Edi Rama do të vritej me snajpera nëse të nesërmen do t’i afrohej Kryeministrisë.