Pentagoni ka shkarkuar kreun e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, thanë të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes dhe një senator.

Ky vendim erdhi disa javë pasi agjencia hartoi një raport paraprak që kundërshtonte pretendimin e Presidentit Trump se lokacionet bërthamore të Iranit ishin “zhdukur” në sulmet ushtarake amerikane.

Gjeneral-lejtnant i Forcave Ajrore Jeffrey Kruse është zyrtari i fundit i lartë i Pentagonit dhe zyrtari i dytë më i lartë i inteligjencës ushtarake, që shkarkohet që nga kthimi i Trump në detyrë.

Gjenerali Timothy D. Haugh, kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, u shkarkua këtë pranverë pasi një teoricien konspiracioni i krahut të djathtë u ankua për të.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth shkarkoi gjithashtu Zëvendës Admiralen Nancy Lacore, e cila ishte shefe e Rezervës së Marinës, si dhe Kundër Admiralin Jamie Sands, një oficer i Navy SEAL që mbikëqyrte Komandën e Luftës Speciale Detare, tha të premten një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes.

Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes është përgjegjëse për mbledhjen e inteligjencës mbi ushtritë e huaja, duke përfshirë madhësinë, pozicionin dhe forcën e forcave të tyre. Agjencia u ofron informacionin komandave luftarake dhe planifikuesve të ushtrisë në Pentagon.

Zyrtari i lartë i mbrojtjes, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se Gjenerali Kruse nuk do të shërbente më si drejtor i agjencisë së inteligjencës, megjithëse nuk ishte e qartë nëse atij do t’i ofrohej një pozicion tjetër në Forcat Ajrore apo nëse do të pensionohej.

Dy zyrtarë të kongresit thanë se ligjvënësit u njoftuan të premten se Hegseth e kishte shkarkuar Gjeneral Kruse për shkak të “humbjes së besimit” tek oficeri i lartë.

Disa ditë pasi sulmet ushtarake amerikane goditën tre nga lokacionet bërthamore të Iranit në qershor, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes hartoi një vlerësim paraprak që sugjeronte se programi bërthamor i Teheranit ishte penguar vetëm me muaj. Raportet rreth vlerësimit nga CNN dhe The New York Times shkaktuan një reagim të ashpër nga Shtëpia e Bardhë.

Nuk ishte e qartë se kush do ta zëvendësonte Gjeneralin Kruse, një veteran me 34 vjet përvojë në Forcat Ajrore, i cili kishte shërbyer në shumë pozicione të larta të inteligjencës në Washington dhe jashtë vendit, duke përfshirë pozicione mbikëqyrëse të operacioneve të inteligjencës ushtarake në Afganistan, Pakistan dhe rajonin Indo-Paqësor.

Zëvendësdrejtoresha e agjencisë, Christine Bordine, do të shërbejë si drejtoreshë e përkohshme derisa pasardhësi i Gjeneralit Kruse të miratohet nga Senati.

New York Times