Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, Shqipëria është përballur me 29 sulme kibernetike. Sipas asaj që bëhet me dije nga statistikat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, gjashtëmujori i parë 2025 numëron 43 incidente kibernetike, rreth 34% më tepër incidente se në gjithë 2024.

Sipas “AKSK”, Shqipëria ka menaxhuar me sukses 29 incidente kibernetike, që përfshijnë një spektër të gjerë kërcënimesh ndaj institucioneve në vend. Sulmet më të shpeshta kanë pasur si qëllim ndërprerjen e shërbimeve publike. E po ashtu bëjnë me dijese incidenti me impaktin më të rëndë ka qenë sulmi WIPER ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili synonte fshirjen përfundimtare të të dhënave dhe dëmtimin e funksioneve digjitale. Krahas tyre, janë identifikuar edhe tentativa phishing, spear phishing, skanime të paautorizuara të rrjeteve, komprometime aplikacionesh, trojanë, dhe shfrytëzim i dobësive në sisteme të ndryshme.

“Ky tremujor konfirmon qartë nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përforcimin e kapaciteteve reaguese. AKSK, në rolin e saj si institucion qendror për sigurinë kibernetike, vijon të garantojë monitorim të pandërprerë, ndërhyrje në kohë reale dhe mbështetje teknike për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend,“-bën me dije AKSK.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se këto shifra tregojnë nevojën që ka Shqipëria për vigjilencë të vazhdueshme dhe përforcimin e kapaciteteve reaguese. Ndërkohë, në vitin që lamë pas, numri i incidenteve kibernetike ka qenë vetëm 32.