Për projektin E1 flitet që nga vitet ’90, kur në pushtet ishte kryeministri Yitzhak Rabin. Zona prej 12 kilometrash katrorë përtej vijës së armëpushimit ka qenë gjithmonë e menduar si një “brez mbrojtës” lindor për Jeruzalemin, për t’u urbanizuar me banesa dhe fabrika që do ta lidhin qytetin e shenjtë me koloninë e Ma’ale Adumim (40 mijë banorë), duke krijuar kështu të ashtuquajturën “Jeruzalem i Madh”.
Megjithatë, për gati një dekadë, kundërshtimi i brendshëm dhe kritikat ndërkombëtare e mbajtën projektin vetëm në letër. Nëse zbatohet, E1 do të presë në mes Bregun Perëndimor, duke shkatërruar çdo mundësi për një shtet të ardhshëm palestinez.
Projekti u rikthye në vitin 2012 nga Benjamin Netanyahu, por vetëm në prag të zgjedhjeve të vitit 2020 nisi të marrë formë si premtim elektoral. Procesi i miratimit ishte i gjatë, por në vitin 2023 u lehtësua nga reforma e qeverisë së re që ia hoqi Ministrit të Mbrojtjes kompetencën për të ndaluar ose vonuar fazat e ndërtimit. Kjo bëri që vendimet për zgjerimin e kolonive të trefishoheshin deri në vitin 2025. Dje, procesi i E1 kulmoi me miratimin nga nënkomiteti i Administratës Civile izraelite në Bregun Perëndimor, një vendim që i hap rrugë ndërtimit.
Sipas planit, do të ngrihen 3 401 njësi banimi në zonën ku aktualisht jetojnë dhjetëra komunitete beduine, mes tyre edhe fshati Khan al-Ahmar. Përveç kësaj, parashikohet edhe ndërtimi i 342 banesave të tjera në një vendbanim që u legalizua në shkurt të vitit 2023.
Shtëpi dhe rrugë të ndaluara për arabët. Projekti i
Tri organizata, Peace Now, Ir Amin dhe Association for Environmental Justice, prej vitesh luftojnë kundër këtij projekti, duke paralajmëruar se ai prek të vetmen hapësirë të lirë mes Ramallahut, Jeruzalemit Lindor dhe Betlehemit, ku jetojnë rreth 1 milion palestinezë. Aktivistët e Peace Now e cilësojnë E1 si “një nga projektet më të rrezikshme, një sabotim të hapur ndaj zgjidhjes politike të konfliktit, që do të dënojë izraelitët dhe palestinezët me përplasje të përhershme”. Sipas tyre, ndërtimet e reja do të rrisin me 33% stokun e banesave të Ma’ale Adumim.
Plani lidhet edhe me ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Autoritetet izraelite kanë miratuar një rrugë të re, e quajtur tashmë “rruga e aparteidit”, e cila do të përdoret vetëm nga palestinezët, duke i devijuar ata nga arteria kryesore Route 1. Në këtë segment mes Jeruzalemit dhe Ma’ale Adumim, qarkullimi do të mbetet i rezervuar vetëm për qytetarët izraelitë.
Për ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, figurë e së djathtës ultranacionaliste dhe mesianike, dita e djeshme ishte një “moment historik”. “Shteti palestinez është fshirë, jo me slogane, por me vepra. Çdo shtëpi e re është një gozhdë mbi arkivolin e kësaj ideje të rrezikshme”, deklaroi ai. Për partitë fetare dhe nacionaliste, E1 nuk është thjesht një lagje e re gjigante, por një mënyrë për të forcuar sovranitetin izraelit mbi Jeruzalemin Lindor.
Nga ana tjetër, reagime të forta erdhën nga Bashkimi Evropian, i cili theksoi se projekti “shkel të drejtën ndërkombëtare”, si edhe nga Mbretëria e Bashkuar./ La Repubblica