Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Naun Shundi, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të vështirë me një sëmundje të rëndë.
Ai ndërroi jetë në ambientet e QSUT-së, ku po trajtohej pas kthimit nga Franca. Ministria e Shëndetësisë mori përsipër shpenzimet pas apelit të familjarëve se nuk mund të përballonin kostot e larta financiare.
Naun Shundi ishte një nga figurat më të spikatura të skenës shqiptare. Ai dha një kontribut të çmuar për më shumë se katër dekada në fushën e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë. Gjatë karrierës së tij, interpretoi në mbi 100 role në teatër dhe mori pjesë në rreth 20 filma. Përveçse aktor dhe regjisor, ai ishte edhe themelues i teatrit të parë privat në Shqipëri, “Zonja e Bujtinës”.
Kush ishte Naun Shundi?
Naun Shundi lindi në Tiranë në vitin 1959. Në vitin 1977 u diplomua për regji në shkollën e Mesme të Kulturës, ndërsa më pas, në vitin 1983, përfundoi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve).
Karrierën artistike e nisi në vitin 1985 si aktor në Teatrin Kombëtar. Më pas, për një periudhë të shkurtër, punoi si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri, por shumë shpejt u rikthye sërish në Teatrin Kombëtar, ku vazhdoi të kontribuonte ndër vite.
Nga viti 1993 deri në vitin 2000, Shundi punoi si pedagog në Akademinë e Arteve, ku dha mësim për mjeshtërinë e aktorit, regjinë dhe fjalën artistike. Në vitin 1995 kreu një specializim për regji pranë Teatrit Kombëtar të Bukureshtit dhe Akademisë së Teatrit dhe Filmit në Bukuresht, Rumani.
Themelimi i Teatrit “Zonja e Bujtinës”
Në vitin 2022, së bashku me bashkëshorten e tij, Shundi themeloi teatrin privat “Zonja e Bujtinës”. Krijimi i këtij teatri erdhi si një reagim emocional dhe profesional pas shembjes së Teatrit Kombëtar, një ngjarje që preku komunitetin artistik shqiptar dhe vetë Shundin.
“Ky teatër është një bekim për qytetin e Tiranës. Si artist, jam i lumtur që munda të ndërtoj për brezat e rinj një oaz arti, sidomos pas shembjes së Teatrit Kombëtar,” u shpreh asokohe aktori.