Aja Kareco, një e re që ndjek me kureshtje përmbajtjet mediatike në Shqipëri, kryesisht ato të shkruara, thotë se i pëlqejnë ato ku ka zëra ekspertësh, veçanërisht për temat e shëndetit mendor si ankthi, stresi apo narcizizmi. “Mendoj se duhet të ketë më shumë përmbajtje pozitive nga rrethet, për agroturizmin, sipërmarrjet dhe më shumë histori frymëzuese. Duhen sjellë histori me vlerë për publikun”, na rrëfen e reja, e cila shton se shmang portalet mediatike që publikojnë tituj bombastikë, që sipas saj synojnë vetëm të tërheqin audiencë. “Për çfarë do të ishe shumë e interesuar për të lexuar nga rrethet?”, e pyesim të renë. “Fatkeqësisht nga rrethet dëgjohet vetëm kur ka kronikë të zezë. Do doja që nëpër rrethe, në zona rurale të kishte raportime më të bukura. Duhet nxjerrë më shumë agroturizmi, gjërat e bukura, festivalet. Pse po shohim vetëm kronikën e zezë? Çfarë ndodh me Lushnjen, Tepelenën etj.“, ngre shqetësimin Kareco.
Eldena Duka, punonjëse sociale në gjimnazin “Leonik Tomeo” në Durrës tregon se ka krijuar një lloj mosbesimi te përmbajtjet mediatike në Shqipëri. “Duhet të ketë disa lloje kufizimesh, rastet e vetëvrasjes tek fëmijët nuk duhen të publikohen fare.”, thekson Duka. “Do doja të ndiqja një psikiatër, një psikolog, për problemet me adoleshentët dhe si t’i menaxhojmë dhe zgjidhim ato, pasi ne i kemi dhe në përditshmëri në shkollë, nga puna që bëjmë. Për shembull vetëvrasja tek adoleshentët, po ndodh si fenomen po nuk po gjenden shkaqet. Këtu janë një sërë aktorësh, pjesa më e mirë është familja, ndërsa familja është dorëzuar për shkak të problematikave sociale siç është varfëria. Edhe tematika sociale si për shembull duhanpirja tek fëmijët deri në 14-vjeç. Është shumë shqetësues ky fakt.”, shpjegon punonjësja sociale.
Raportimet mbi kronikën e zezë deri ne një formë ‘‘nekrofilie“ dhe lajmet ‘‘fast“, të tipit ushqime pa vlera ushqimore si ato të fastfoodeve, mbizotërojnë në përmbajtjet mediatike shqiptare. Madje edhe politika është “showbizz-uar” në atë nivel, sa ligjvënësit raportohen si vishen para parlamentit në mënyrë frekuente dhe jo aq thellësisht mbi vendimarrjet e tyre. Sensacionalizëm me justifikimin “Atë do audienca“.
Po vërtet, çfarë do audienca?
Në një studim të kryer nga Gogo.al në dy vitet e fundit, me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive mbi rolin dhe ndikimin e televizionit në mbrojtje të shëndetit mendor të audiencave, u zbulua se audiencat janë shumë të shqetësuara nga përmbajtjet mediatike në Shqipëri (79.8%), gjë që ndodhte shpesh (51.9%). Pjesa më e madhe e 769 të pyeturve shprehen se ajo që i shqetëson më shumë në përmbajtjet televizive në Shqipëri, është se flitet shumë për ngjarje të dhunshme, ka mungesë të përmbajtjeve edukative dhe ka diskutime shumë agresive. Tipologjia e formateve që u prishin më shumë humorin? Emisionet politike (40.6%), lajmet (27%) dhe reality show-t (22.2%).
Audiencat mendojnë që televizionet nuk i trajtojnë sa duhet në programet e tyre çështjet e shëndetit mendor (81%). A do ishin të interesuar ato për programe që ofrojnë mënyra për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin e tyre mendor përmes këshillave praktike dhe intervistave me profesionistë? Po, thonë 89.7%.
Njësoj si audienca, edhe ekspertët Erlis Çela, Milena Turtulli Bregu, Gëzim Tushi dhe Ramadan Çipuri theksojnë se përmbajtjet që përmbajnë dhunë, programe të papërshtatshme dhe programet reality show, janë ato që ndikojnë më shumë në shëndetin mendor të audiencave. Siç theksohet nga eksperti i mediave Erlis Çela, ky lloj “bombardimi” përmbajtjesh shpesh çon në ndikime negative mbi shëndetin mendor, duke përfshirë rritjen e depresionit dhe të shqetësimeve emocionale. Edukimi i audiencave mbi përmbajtjet e dëmshme është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim sipas tij, pasi shumica e audiencave nuk janë të ndërgjegjësuara për efektet negative që mund të shkaktojnë përmbajtjet mediatike. Eksperti i mediave Ramadan Çipuri dhe sociologu Gëzim Tushi theksojnë se kur përmbajtjet televizive krijohen pa respektuar kodet etike, ato mund të kontribuojnë në përhapjen e stereotipeve dhe stigmatizimin e individëve me probleme të shëndetit mendor duke krijuar një atmosferë negative që mund të rrisë ndjenjat e turpit dhe të izolimit.
Psikologia Milena Turtulli Bregu dhe sociologia Entela Binjaku janë të mendimit se përmbajtjet me dhunë dhe seksualitet të transmetuara në media, kanë pasoja të drejtpërdrejta tek shëndeti mendor i audiencave, veçanërisht tek të rinjtë. Këto përmbajtje shpesh çojnë në rritjen e konfliktualitetit, sjelljeve të gabuara, veprimeve të paligjshme deri në shkelje të normave shoqërore dhe problemeve të shëndetit mendor si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e sjelljes. Blendi Salaj, moderator në “Top Channel” thekson se “Për të mbrojtur shëndetin mendor të audiencave në rrjetet sociale, televizioni duhet të publikojë përmbajtje të besueshme, edukative dhe pozitive. Duhet të shmanget sensacionalizmi dhe të promovohen histori që inkurajojnë reflektim, mirëkuptim dhe empati.”
Audiencat kërkojnë kështu më shumë ndjeshmëri sa u përket raportimeve me tema të shëndetit mendor, më shumë profesionistë të pranishëm në këto përmbajtje duke stimuluar mendimin kritik dhe duke krijuar mundësi për diskutime të dobishme dhe konstruktive.
Bombardimi me informacion që nuk bën kuptim për audiencat, atë që Eric Scherer e quan me termin “info-obezitet” që sjell edhe mpirjen e publikut, nuk është karakteristike vetëm për Shqipërinë por një fenomen që ndodh edhe përtej kufijve shqiptarë. Mpirja e publikut, polarizimi dhe dezinformimi duket se janë disa nga fenomenet dëmtuese të marrëdhënies së besimit mes mediave dhe audiencave por së fundmi po studiohet thellësisht edhe fenomeni i shmangies së lajmeve, që ka sjellë një tjetër krizë të këtij raporti. Shmangia e lajmeve i referohet fenomenit të qëllimshëm ose të paqëllimshëm. Skovsgaard dhe Andersen identifikojnë 3 lloje të shmangies së lajmeve; shmangie konsistente, shmangie e rastit dhe shmangie selektive. Scherer në librin e tij “A na duhen më gazetarët?” shkruan: “Po sikur zgjidhja ndaj “info-obezitetit” që na mbyt përditë, që na sulmon nga mëngjesi në darkë, të mos ishte thjesht gazetari! Por një gazetari e re, një “gazetari e zmadhuar”, një gazetari e pasuruar me të gjitha mundësitë e reja të jashtëzakonshme të ofruara nga ky revolucion i informacionit digjital. Një gazetari me vlerë të shtuar. Për të ekzistuar më shumë në tërësinë e mjeteve digjitale por edhe ndryshe. Sepse kriza shndërrimtare dhe, tashmë, ekzistenciale e gazetarisë, do t’i hedhë tej ata që nuk do të kenë më vlerë të shtuar të përshtatshme për zakonet e reja të publikut.”
A mund të jetë Gazetaria Konstruktive një zgjidhje?
Gjatë këtyre ditëve të nxehta të gushtit folëm me Geri Emirin, gazetar, drejtues i medias “Amfora.al”, i cili përfaqëson një grup të vogël profesionistësh por me shumë pasion e që prodhon gazetari cilësore, fokusuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Emiri thotë se nuk garojnë me shpejtësinë e raportimit ditor, por me cilësinë dhe thellësinë e tij. “Raportimi ynë është tematik dhe periodik, duke i dhënë hapësirë analizës, verifikimit dhe hulumtimit përtej lajmit të momentit.”, shton për Gogo.al, Emiri.
Si i kanë raportet profesionistët e kësaj redaksie me audiencat? Çfarë filozofie ndjekin? Si kanë reaguar audiencat më tej? “Ne e shohim si detyrim profesional që t’i ofrojmë publikut jo vetëm fakte të sakta, por edhe perspektiva që i ndihmojnë qytetarët të kuptojnë dhe të veprojnë. Kjo qasje nuk e shmang kriticizmin, por e thellon atë duke e vendosur gjithmonë në shërbim të interesit publik dhe të mundësive për ndryshim pozitiv.”, na thotë gazetari Emiri, teksa shton edhe se ata dëshiruan të dilnin përtej raportimit tradicional në Shqipëri, kufizuar te kriza dhe skandali.
“Ne sollëm një qasje të re, ku raportimi shkon më thellë: Nxjerr në pah problemet, por edhe rrugët për t’u përballur me to, përgjegjësitë e institucioneve dhe kontributet e komunitetit. Audienca jonë e ka përqafuar këtë qasje. Qytetarët nuk janë të lodhur nga informacioni, por nga mungesa e cilësisë dhe e kuptimit të informacionit. Në eksperiencën tonë, kur ofron një produkt mediatik të besueshëm, publiku e mbështet dhe e vlerëson.”, analizon Emiri.
Na siguron që për “Amfora.al”, gazetaria konstruktive është më shumë se një metodë, është një identitet. “Kjo është mënyra sesi ne shohim raportimin, pra si një mjet për të ndriçuar realitetin, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të ofruar horizonte të reja për publikun.”
“Ne nuk ndalemi vetëm tek “çfarë ndodhi”, por edhe se “çfarë mund të bëhet ndryshe”. Kjo qasje është thelbi i punës sonë, që të mos ushqejmë sensacionalizëm dhe lodhje publike, por të ndërtojmë një dialog më të shëndetshëm me qytetarët. Në përvojën tonë, publiku shqiptar është i tejngopur me ngjarjet që mbjellin frikë apo cinizëm. Gazetaria konstruktive për ne është mënyra për t’i rikthyer shpresën dhe besimin, për të krijuar një publik që informohet, por edhe merr nxitje për të kërkuar ndryshimin. Besojmë se një media që i tregon qytetarëve vetëm problemet, por jo edhe mundësitë për t’i adresuar ato, humbet një pjesë të rolit të vet shoqëror. Për ne, gazetaria konstruktive është mënyra për të ndërtuar një publik aktiv dhe të ndërgjegjshëm, që e kupton realitetin dhe nuk dorëzohet para tij.”, shpjegon më tej drejtuesi i “Amfora.al”, Geri Emiri.
Ai tregon se e kanë zbatuar gazetarinë konstruktive mbi tema për transparencën, qeverisjen qendrore e vendore, përdorimin e parave publike, abuzimin me pushtetin, korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçanërisht tek mjedisi dhe trashëgimia kulturore materiale. “Ne jo vetëm që denoncojmë dëmtimet dhe abuzimet, por tregojmë edhe praktika të mira, nisma komunitare dhe shembuj që frymëzojnë.”, shton Emiri. Sipas tij, qasja e gazetarisë konstruktive i ndihmon qytetarët që të mos humbasin shpresën përballë problemeve sistemike, por të shohin edhe rrugët që çojnë drejt përgjegjësisë dhe ndryshimit, teksa thekson se “përmes kësaj qasjeje kemi fituar besimin e audiencës sonë, e cila e kupton se gazetaria jonë nuk ka për qëllim vetëm të tregojë se çfarë nuk funksionon, por edhe të tregojë sesi mund të funksionojë më mirë.”
Po si e organizojnë ata punën në praktikë? “Për çdo çështje që ndjekim, mbledhim informacion nga terreni, kërkojmë të dhëna zyrtare nga institucionet dhe e pasurojmë raportimin me ekspertizën e specialistëve të fushës. Ky është një dallim thelbësor nga një raportim i zakonshëm, pasi ne nuk e kufizojmë informacionin vetëm tek “çfarë ndodhi”, por e vendosim gjithmonë në një kornizë analize dhe perspektive, duke pyetur edhe se “çfarë mund të bëhet ndryshe”. Ekspertët mbajnë një rol të rëndësishëm në qasjen tonë. Ata nuk janë vetëm burime informacioni, por bashkëbisedues të publikut përmes raportimit që ne bëjmë. Duke i dhënë hapësirë vlerësimit profesional dhe mendimit kritik të tyre, ne u japim qytetarëve jo vetëm fakte të thata, por edhe gjykimin e specialistëve mbi situatën dhe rrugët për ta përmirësuar.”, rrëfen Emiri.
“Investigimi mbetet në zemër të punës sonë. Ne e zhvillojmë gazetarinë konstruktive përmes hulumtimit, duke ballafaquar fakte, shifra, dokumente, burime dhe dëshmi të drejtpërdrejta. Aty ku investigimi tradicional ndalet, tek ekspozimi i problemit, ne shtojmë një hap tjetër sepse tregojmë edhe përpjekjet e bëra, shembujt e zgjidhjeve, nismat që funksionojnë apo dështojnë, si edhe mësimet që mund të nxirren prej tyre.”, kujdeset të theksojë më tej Emiri, për ta saktësuar se gazetaria konstruktive nuk kuptohet dot pa hulumtimin..
Po cilat kanë qenë rezultatet e zbatimit të qasjes së gazetarisë konstruktive për këtë redaksi lokale? “Përgjigjet nga institucionet janë bërë më të shpejta dhe më të plota, pasi ato e kanë kuptuar se ne nuk tërhiqemi përballë një kërkese dhe nuk pranojmë “gjysmë përgjigje”. Kjo qëndrueshmëri dhe këmbëngulje ka rritur respektin dhe seriozitetin, me të cilin trajtohen kërkesat tona. Edhe për gazetarët tanë, ky proces ka sjellë një zotërim më të mirë të temave. Duke punuar me metodologjinë e gazetarisë konstruktive, ata jo vetëm që mbledhin fakte dhe të dhëna, por edhe i analizojnë dhe i vendosin në një kontekst më të gjerë, duke u bërë më të aftë për të ndërtuar një narrativë që i shërben publikut. Artikujt dhe investigimet tona qëndrojnë të vlefshme edhe disa muaj pas publikimit sepse i trajtojnë çështjet në thellësi dhe me referenca të qëndrueshme.”, shpjegon Emiri.
Megjithë rezultatet që kanë rritur punën e tyre, drejtuesi i “Amfora.al” nuk heziton të pranojë që gazetaria konstruktive kërkon kohë, burime njerëzore dhe financiare. “Nuk është një qasje që mund të përballohet vetëm nga një ose dy gazetarë, sidomos kur ata duhet të ndjekin edhe aktivitetin rutinë të ditës, reportazhet apo analizat e zakonshme. Për një temë të vetme, shpesh kërkohen muaj apo edhe vite punë dhe kjo është arsyeja pse gazetaria konstruktive zhvillohet mbi baza afatgjata. Për ta bërë të mundur këtë lloj gazetarie, nevojitet një ekip multidisiplinar, si gazetarë investigativë, përpunues të të dhënave, ekspertë të fushave specifike, video-editorë dhe profesionistë të tjerë. Kostoja është një tjetër element i rëndësishëm. Hulumtimi në terren shpesh kërkon udhëtime, kohë shtesë dhe mjete logjistike. Këto janë shpenzime që tejkalojnë një raportim të zakonshëm dhe e bëjnë këtë qasje më sfiduese për redaksitë e vogla ose ato me buxhete të kufizuara.”, tregon Emiri. Deri më tani, thënë nga ai, zhvillimin e kësaj qasje në redaksinë e tyre e kanë mbështetur donatorët, “Megjithatë, ne besojmë se në të ardhmen edhe audienca dhe burime alternative të të ardhurave do të mund të luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e kësaj gazetarie.”, shton ai.
A është gati Shqipëria për këtë lloj gazetarie? “Gazetaria konstruktive mund ta luajë fuqishëm rolin e të treguarit se ekzistojnë alternativa, zgjidhje dhe histori që frymëzojnë ndryshimin shoqëror, në një realitet si Shqipëria, që parimet demokratike, kushtetuese dhe të drejtat e njeriut rrezikohen kohë pas kohe. Megjithatë nëse u referohemi mediave tradicionale, Shqipëria ende nuk është plotësisht gati. Ato duhet të krijojnë më shumë hapësirë në programacion për këtë qasje dhe të investojnë në mënyrë të qëndrueshme në të, duke pasur kujdes që të mos e ngatërrojnë gazetarinë konstruktive me përmbajtje të marrëdhënieve me publikun apo propagandën. Ky është një rrezik i madh që mund të kompromentojë thelbin e saj nëse keqkuptohet.”, komenton Emiri.
A do të ishte sipas gazetarit Emiri, që e ka praktikuar prej vitesh gazetarinë konstruktive, një zgjidhje për tema delikate siç janë ato të shëndetit mendor? “Gazetaria Konstruktive është veçanërisht e përshtatshme për tema delikate dhe që prekin drejtpërdrejtë dimensionin njerëzor, siç është shëndeti mendor. Sidomos pas pandemisë së COVID-19, kjo çështje është trajtuar kryesisht si problem, pasi janë rritur rastet, është shtuar ndërgjegjësimi dhe protagonistët e lajmeve shpesh kanë rezultuar me sfida serioze në shëndetin mendor. Por ajo që mungon është dimensioni pozitiv, historitë e suksesit, ku individë ia kanë dalë të kurohen, rehabilitohen dhe të rikthehen në jetë normale, në punë apo shkollë. Ky boshllëk i lë qytetarët vetëm me frikën, pa treguar se ekzistojnë edhe rrugëdalje.
E njëjta logjikë vlen edhe për tema të tjera delikate dhe teknike, si trashëgimia kulturore. Shpesh raportimet ndalen tek dëmtimet, shkatërrimet dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale. Por shumë rrallë publikohet një rast ku trashëgimia është mbrojtur, restauruar apo përdorur në mënyrë të qëndrueshme si një pasuri publike. Gazetaria konstruktive ka fuqinë të tregojë jo vetëm anën e errët të humbjes, por edhe shembujt e mbrojtjes dhe ringritjes, duke krijuar një kulturë të re të kujdesit dhe përfshirjes qytetare. Pikërisht këtu qëndron vlera e saj sepse gazetaria konstruktive nuk e shmang problemin, por e plotëson pasqyrën me pjesën që mungon – me shpresën, me rrugët e mundshme dhe me modelet që frymëzojnë. Duke e aplikuar në fusha si shëndeti mendor apo trashëgimia kulturore, media bëhet jo vetëm një kronikan i krizave, por edhe një udhërrëfyes për një shoqëri më të vetëdijshme dhe më të angazhuar.”, shtjellon Emiri.
“Në të njëjtën kohë kjo nuk do të thotë që redaksitë e tjera nuk mund ta nisin procesin gradualisht. Integrimi i elementëve të gazetarisë konstruktive mund të bëhet hap pas hapi, duke përfshirë më shumë kontekst, duke dhënë hapësirë për zërat e ekspertëve apo duke raportuar mbi zgjidhjet ekzistuese.”, përfundon drejtuesi i “Amfora.al”, Geri Emiri.
Debati, pse është thjesht çështje profesionalizmi?!
Lindita Çela, gazetare investigative dhe drejtuese e “Shteg.org”, media investigative në Shqipëri, hap një syth debati. Sipas gazetares me mbi 20 vjet përvojë, ai që ka më shumë rëndësi është profesionalizmi, se sa teknikat që ndjek. “Shqipëria ka probleme më të thella me propagandën, teksa deklaratat për shtyp paraqiten si lajme se sa të ketë luksin të diskutojë për gazetarinë konstruktive.”, thotë Çela për Gogo.al.
“Audienca ka ndryshuar, nga një audiencë lokale në një audiencë ndërkombëtare. Në këto rrethana, ti e ndjen peshën dhe presionin që ka audienca. Ti duhet t’ia shpjegosh një qytetari, si bie fjala dikujt që jeton në Alaska, pse një histori që po shkruan nga një vend i vogël si Shqipëria ka interes edhe për të. Kjo bëhet e mundur vetëm kur përpiqesh të përmbushësh sa më mirë misionin e medias: kontrollin mbi funksionimin ligjor të institucioneve, ekspozimin e korrupsionit dhe shndërrimin e një historie në një të mirë publike. Në këtë mënyrë, edhe një ngjarje nga një vend i vogël si Shqipëria mund të jetë e rëndësishme për një lexues në Alaska. Në këtë kontekst, gazetari nuk duhet të jetë thjesht përcjellës i deklaratave, por dyshues dhe verifikues. Për ta bërë këtë, ai duhet të rritet profesionalisht çdo ditë. Sot audienca nuk është më ajo klasikja që diktonin mediat e shkruara. Falë teknologjisë, ekziston një treg me afërsisht 8 miliardë klikime në sekondë, dhe nevoja për të fituar audiencë e bën profesionin e gazetarit më sfidues se kurrë. Megjithatë, unë mendoj se profesionalizmi është e vetmja zgjidhje.”, shprehet gazetarja investigative Çela.

Geri Emiri, gazetar, drejtues i “Amfora.al” gjatë punës në redaksi

Lindita Çela, gazetare investigative, drejtuese e “Shteg.org”
Ajo na thotë se edhe kur punon në qasjen e gazetarisë investigative jo vetëm që hulumtohet por gazetari duhet ta dijë të gjithë fenomenin, të njohë të gjitha këndet e situatës, të gjitha zërat, të jetë i drejtë dhe i balancuar. Çela është e mendimit se një gazetar i mirë krijon një agjendë, qoftë edhe mujore, për të mbuluar çështje që kanë interes publik dhe ekspozimi i të cilave është një e mirë publike.
“Për të gjitha llojet e raportimit, lajmin, intervistën, reportazhin, investigimin, çelësi i suksesit është leximi dhe mirëinformimi mbi gjithçka që po raporton. Gazetari, para se të raportojë, duhet të shndërrohet në ekspert mbi çështjen, dhe më pas të sigurojë dokumentet dhe faktet në mënyrë të ligjshme për të provuar hipotezat apo gjetjet e tij. Sa më të forta të jenë hipotezat apo akuzat e ngritura, aq më të sakta dhe të pakontestueshme duhet të jenë dokumentet dhe provat që i mbështesin ato. Gjithashtu, është e domosdoshme ruajtja e ekuilibrit, objektivitetit dhe paanshmërisë. Për një lajm të zakonshëm, kërkesat bazike të raportimit përfshijnë konfirmimin e tij nga të paktën dy burime të pavarura. Ndërsa qasjet e tjera, si ato investigative, kërkojnë më shumë punë, burime dhe prova dokumentare.”, shpjegon procesin e punës së stafit të saj Çela.
“Sa i përket gazetarisë investigative, ajo nuk mund të krijohet brenda ditës, edhe sikur të ketë para. Duhet të ketë gazetarë me integritet, të aftë për t’u përfshirë në histori që patjetër ekspozojnë korrupsionin apo paligjshmëri ku shpesh janë të përfshirë vetë mediat. Pra, futemi në një rreth vicioz, nga i cili mund të dilet vetëm kur media është e zotëruar dhe e drejtuar nga njerëz që suksesin e tyre, qoftë edhe ekonomik, e lidhin me ekzistencën e një shteti ligjor, me lirinë dhe pavarësinë e institucioneve dhe me zhvillimin demokratik të vendit. Vetëm atëherë redaksitë mund të kenë normalitet pune dhe të ngrejnë struktura për raportimin e çështjeve komplekse që kërkojnë gazetarë me përvojë dhe integritet profesional.”, vazhdon më tej të shpjegojë këndvështrimin e saj Çela.
“Po gazetarinë investigative në çfarë niveli e ka Shqipëria?”, e pyesim drejtuesen e medias investigative “Shteg.org”. “Unë mendoj se Shqipëria në këto vitet e fundit është zhbërë sa i përket gazetarisë. Gazetarët, për të siguruar informacionin minimal publik, duhet të bëjnë një betejë të gjatë administrative, ndërkohë vetë qeveria, apo çdo institucion, ka ngritur një redaksi propagande që i ofrojnë “portaleve” lajme, me zë dhe figurë, apo edhe tituj dhe nëntituj, dhe më pas shpërndahen në audiencën mbarë shqiptare. Nëse në fillimet e mia si gazetare, këtu e 20 vjet më parë, unë nuk guxoja të dërgoja në gazetë si lajm komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit, sot lexoj si lajm nga grupi i Policisë së Shtetit se sindikatat e gazetarëve dekorojnë drejtorin e Policisë së Shtetit, dhe këtë e shoh me pas të shpërndarë në shumicën e portaleve. Mendoj se vite më parë ka pasur një gazetari shumë më cilësore, e cila pak nga pak ka ardhur duke u bërë si shtojcë e zyrave të propagandës. Dhe në këtë pikë të gjithë jemi fajtorë, por sigurisht që kontributin më të madh e kanë dhënë përfituesit më të mëdhenj, që në këtë rast janë qeveria, politika dhe biznesi.”, thekson Çela.
“Unë mendoj se çdo temë, nëse shkruhet mirë dhe shoqërohet me informacion e dokumente që vërtetojnë hipotezën, dhe nëse është në interes publik, mund të shndërrohet në një histori investigative, pse jo edhe shëndeti mendor. Nuk ka tema që “nuk bëhen”, por ka gazetarë që nuk tregojnë interes për çështjet që i rrethojnë, ose që nuk kërkojnë prova dhe gjejnë këndvështrimin e duhur për t’i trajtuar ato. Një koleg i imi ka realizuar një shkrim të shkëlqyer duke nisur vetëm nga recetat e kuzhinës, dhe më pas ka zbuluar veset, maninë për kontroll dhe pushtetin e ushtruar nga një grup i caktuar njerëzish me ndikim.”, jep analizën e saj shpresëdhënëse gazetarja investigative Lindita Çela.
Koloreto Cukali, kreu i Këshillit Shqiptar të Medias e sheh gazetarinë konstruktive, të re në median shqiptare dhe thotë se tanimë nuk shkohet për të “goditur” a vënë para përgjegjësisë, po shkohet për t’i treguar si mund të bëhet më mirë. “Pra ti thua që kjo gjë këtu mund të zgjidhet në këtë formë, Sllovenia e ka zgjidhur në këtë formë, ndoshta duhet provuar, se mbase publiku është lodhur nga lajmi pa zgjidhje. Kjo është fiks gjëja që në na mungon, që ti të shohësh edhe një zgjidhje, të shohësh që ka zgjidhje, nuk jemi pa rrugëzgjidhje. Se ndoshta, këtu po hyj te pjesa e hamendësimeve, ndoshta publiku është kaq i lodhur nga një realitet që e takojmë përditë, që nuk do ta shohë më as në lajme, dhe prandaj shkon ndoshta te showbizzi. Do të ikë nga halli i vet.”, thotë Cukali në podkastin në Gogo.al.
Cukali vëren ama se një lloj pune e tillë kërkon kohë dhe ekip e kjo domosdoshmërisht kërkon edhe para e financime. “Besoj që mund të jetë edhe kjo, por gazetaria konstruktive përveç dijes dhe dëshirës së mirë, kërkon kohë. Po kjo do kohë, do pak edhe gazetarë të kualifikuar, po do kohë dhe koha përkthehet me para. Ti do ekip, i cili paguhet.”, thekson ai.
Nisur nga përvoja në emisione investigative, Cukali thotë se është më e lehtë për të gjetur shkeljet, duke i “hetuar” denoncimet, por vlerëson se duhet përfshirë edhe gazetaria konstruktive për ta trajtuar më ndryshe. “Problemi me sa kam parë unë, meqënëse punoj edhe vetë në një emision investigativ, tendenca, fryma e emisioneve investigative është për të gjetur shkeljet, pra për të mos shkuar te problemi, te një problem social, po për të gjetur një shkelje dhe për t’u marrë me shkeljen. Ndoshta duhet të ndryshojë pak edhe fryma e emisionit, të përfshijnë edhe raste të gazetarisë konstruktive kur ti shkon te një problem dhe i qasesh në mënyrë konstruktive. Është pak më e thjeshtë të gjesh shkeljen, futesh në një tender, e gjen kush e ka bërë, kush e ka firmosur, e sheh që tenderi në fakt nuk është zbatuar dhe po themi deri diku e bëre, kurse konstruktivja kërkon një qasje tjetër, por mund të futet kudo kur ke dëshirë ta bësh. Edhe një aksident që mund të duket shumë ordiner, në një rrugë që është bërë, ose është rrugë aksidentesh, ti mund të gjesh shembuj, mund të gjesh arsyen pse ndodhin.”, thekson në bisedën në Gogo.al Cukali.
Megjithatë Cukali sjell një shqetësim, duke pyetur: “Në momentin që audienca është mësuar me “fast food”-in dhe ka filluar t’i pëlqejë shumë, sa e vështirë do jetë për ta kthyer drejt një ushqimi të shëndetshëm?! Kjo është çështja. Unë dua të kuptojmë pse këto gjërat e bëra mirë po themi, pse nuk ndiqen? Unë vetë po përpiqem të kuptoj pse audienca sillet kështu siç sillet dhe një nga gjërat p.sh që unë vërej është që kanë ndryshuar modelet e suksesit në Shqipëri. Modeli i suksesit është 1: Kriminaliteti i shpejtë i drogës, e ku e di unë se çfarë, i Londrës, paraja, shtëpitë e barit, që ti vjen me një makinë luksoze, këto vajzat e bëra, pra kjo gjë, gjithnjë e më pak po shohim modele të tjera të suksesit, ku janë njerëz që ndërtojnë një sipërmarrje, që bëjnë një shpikje. Pra janë shumë pak me ketë modelin tjetër, dhe ti je i prirur të ndjekësh këto celebritete se këto të duken modele suksesi. Dhe këtu vijmë te pjesa tjetër, nuk e bëjmë dot unë e ti, sepse duhet e gjithë shoqëria të ndryshojë qasje edhe ndaj suksesit.”, shtjellon Cukali.
Suela Musta, eksperte e medias mendon se gazetaria konstruktive është një nga qasjet më pak të zhvilluara në Shqipëri. “Dhe kjo nuk është e rastësishme madje them se është e qëllimshme. Gazetaria si audiovizive dhe ajo online e kanë humbur ndjeshëm rolin edukues dhe kultivues në shoqëri. Pse ndodh kjo? Ka disa arsye. E para sepse financimet dhe reklamat e biznesit imponojnë mediat, për arritjet e audiencave të gjera dhe të shpejta dhe kjo i shtyn producentët dhe gazetarët drejt lajmeve të scoop-it, sensacionit dhe showbizz-it. E dyta, vetë media në Shqipëri ka krijuar tashmë traditën e prodhimit të lajmeve më së shumti nga kronika e zezë dhe nga lëmi i denoncimeve të aferave të korrupsionit. E treta në tërësi ka një trend global për mediat që të prodhojnë lajme, kronika dhe artikuj jo të gjatë dhe reflektues apo me propozime dhe trajtime të fenomeneve të ndryshme për zgjidhje.”, shpjegon arsyet Musta.
Ekspertja shton dhe disa arsye të tjera që sipas saj nuk janë më pak të rëndësishme. “Audiencat në Shqipëri apo publiku i gjerë e ka vetëdijen e ulët për rolin kritik dhe qënësor që duhet të ketë media në një shoqëri të lirë dhe në një shtet të konsoliduar. Nga ana tjetër publiku shqiptar e ka humbur kredibilititin tek puna dhe transparenca e gazetarëve. Stili i gazetarisë qytetare përmes statuseve apo “video selfie” për të reaguar për shumë fenomene, e ka nxerrë në periferi rolin e gazetarit profesionist”, analizon më tej Musta.
Ajo përfundon duke thënë se “në këtë dikotomi qëndrimesh mendoj se gazetaria konstruktive është në përballje me sfida të forta dhe një kauzë që kërkon shumë angazhim të biznesit të medias dhe investim tek trajnimet e gazetarëve”.
Përvoja ndërkombëtare dhe disa pyetje
Gazetaria Konstruktive është qasja me tre shtylla: nuanca, zgjidhje dhe hapje e diskutimeve. Ulrik Haagerup, themeluesi i “Constructive Institute” në Danimarkë dhe autor i librit “Lajmi Konstruktiv”, na kujton të jemi të kujdesshëm, duke theksuar se çfarë nuk është gazetaria konstruktive. Për të shmangur qorrsokakun dhe gafat që mund të bëjmë, Haagerupi shkruan se nuk duhet ta ngatërrojmë gazetarinë konstruktive me lajmin pozitiv, sepse nuk është. Lajmi konstruktiv nuk është një lajm pozitiv, as një lajm i gëzuar që mund të shkojë në kufijtë e propagandës, nuk është politik për të bërë gazetari për një të ardhme më të mirë nesër sepse gazetaria nuk përcakton se çfarë është më e mira.
Sipas tij duhet patur kujdes për të mos u bërë politikan duke kaluar vijat e subjektivitetit, duhet hequr dorë nga justifikimet se kemi shumë probleme madhore për t’u marrë si gazetarë por sa më të mëdha problemet aq më e madhe është nevoja e publikut dhe audiencave për t’u dhënë kuptim mbi informacionet, fenomenet dhe si të ngrihen debate për t’i ndrequr këto probleme.
Gjej shembuj të praktikave më të mira. Frymëzo shpresën. Gjej dritën në errësirë. Kujto që përkufizimi i lajmit është diçka përtej të zakonshmes. Kështu që kur e zakonshmja është problemi, lajmi është aty ku problemet kanë ndaluar. Lajmi konstruktiv nuk është një alternativë përballë raportimit kritik; është një mjet i ri shtesë në kutinë e mjeteve të redaksisë.”, shkruan Haagerupi.
A është gati Shqipëria të zhvillojë Gazetarinë Konstruktive që nuk vret lajmin, nuk djeg investigimin apo nuk pikturon realitetin rozë por është në kërkim të më shumë nuancave, zgjidhjeve duke hapur diskutimin në shoqëri? A është gati Shqipëria për këtë qasje që mbase mund të japë rezultat më të mirë në raport me llogaridhënien e institucioneve dhe që sjell produkte mediatike rezistente në treg apo këto janë arsye të pamjaftueshme përballë nevojës për shumë para, kohë dhe ekipe të specializuara? A ekziston mundësia që gazetarët të nisin me hapa të vegjël?/ Gogo.al
*Shënim: Ky shkrim është mbështetur nga SoJo Europe, një program partneriteti midis Transitions, Journalismfund Europe, SEENPM, Constructive Institute dhe Bashkimit Evropian, që promovon Gazetarinë e Zgjidhjeve.