Nga Armand Jonuzi

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, sa vinin e bëheshin më të akullta. Ishte vitit 1960, dhe përplasjet mes udhëheqësve të partive komuniste të dy vendeve, sa vinin dhe shtoheshin. Ka pasur disa momente në prag të mbledhjes së Moskës, me rëndësi historike. Në datën 8 nëntor, udhëheqja e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u shpërndau të gjitha delegacioneve, duke përfshirë edhe delegacionin e PPSH-së, një letër të gjatë që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i drejtonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Në këtë letër ishin renditur nga sovjetikët të gjitha kritikat, akuzat, vërejtjet që kishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, për udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës.

MIKOJANI: Kurrë nuk kam menduar, që ai të arrijë deri atje.

ENVER HOXHA: Pra, ju nuk na besoni. Kini parasysh se jam Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Kam qenë dhe jam mik i Bashkimit Sovjetik. Ju mund të mos më besoni mua, por u besoni “çinovnikëve” tuaj. Cili është interesi i PPSH-së, që të krijojë mosmarrëveshje e të thotë gjëra të paqena, për ambasadorin e Bashkimit Sovjetik?!

MIKOJANI: E besoj se ju s’jeni të interesuar për këtë. Ambasadori nuk na ka folur ndonjë gjë të keqe për ju. Ai, si njeri, është i mirë.

SUSLLOVI: Jo shumë i zgjuar, sidomos politikisht.

MIKOJANI: Na thoni, ç’duhet të bëjmë që të rregullohen marrëdhëniet tona. Ambasadorin do ta ndërrojmë.

ENVER HOXHA: Nuk është ashtu, ne s’kemi marrëdhënie thjesht diplomatike, por lidhje partie e këto duhet të jenë mbi baza marksiste-leniniste. Për shembull, ambasadori Ivanov, i kishte lidhjet me mua. Përse ai duhet të takonte kryetarin e Komisionit të Revizionimit?! (Bëhet fjalë për Koço Tashkon, shënimi ynë). Unë jam Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Ju kam pyetur përse e përjashtuat Zhukovin? Deri tani s’di asgjë. Ambasadori sovjetik, gjithnjë ka ardhur te unë dhe më ka pyetur për plenumet e Partisë sonë, unë i kam treguar. Erdhi e më pyeti edhe për punimet e këtij Plenumi (është fjala për Plenumin XVII të Komitetit Qendror të Partisë, i cili i zhvilloi punimet më 11-12 korrik 1960, dhe aprovoi veprimtarinë e delegacionit të PPSH-së në Mbledhjen e Bukureshtit).

Unë i thashë atë që duhej thënë. Përderisa Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, i tha kaq, ai duhet të shkonte në shtëpi e të flinte. Ndryshe, në qoftë se ambasadori juaj kap njërin e tjetrin, ai e shokët e tij s’janë diplomatë e përfaqësues të një vendi socialist, por zbulues. Punonjësit e ambasadës, nëpërmjet Bespallovit, kapën kryetarin e Komisionit te Revizionimit dhe e përpunuan në dy takime, pastaj radhën e tretë e thirrën për drekë në emër të ambasadorit, në shtëpinë e sekretarit të parë të ambasadës.

Dhe ishin të tre, ambasadori, këshilltari, sekretari. Atje shoku ynë, i cili para 15 ditësh ishte dakord me vendimin e Plenumit, me vijën e Komitetit tonë Qendror, iu kundërvu vijës së Partisë. Tani ju pyes ju: A mund të lejohet që një ambasador të veprojë në mënyrë të tillë dhe nga koka e tij?! Ne mendojmë se qëllimi i këtyre veprimeve, ka qenë të krijohej diversion në Partinë tonë. Ambasadori juaj shkoi edhe më larg. Ai u tha në aerodrom gjeneralëve tanë, duke bërë aluzion për ngjarjet e Bukureshtit: “Me kë do të jetë ushtria”?

MIKOJANI, KOZLLOVI: Ai është budalla.

ENVER HOXHA: Unë ju respektoj, por ne nuk mund t’i hamë justifikime të tilla, megjithëse nuk kemi eksperiencën tuaj. Lidhur me ftesën që më bëri Hrushovi, kjo është kryesore. Unë në fillim vendosa të takoheshim. Po, kur mora materialin tuaj, letrën drejtuar shokëve kinezë më 5 nëntor, shikoj se atje Shqipëria është përjashtuar nga Kampi Socialist. Atje numërohen të gjitha vendet e demokracisë popullore të Evropës, me përjashtim të Shqipërisë.

SUSLLOVI: Atje nuk përmendet as Bashkimi Sovjetik.

ENVER HOXHA: Ç’janë këto që na thoni. Unë, po të isha në vendin tuaj, do ta pranoja se është gabim. Ivanovi ka vepruar kështu, Greçko gjithashtu, në dokument janë shkruar gjëra të tilla, Hrushovi i ka folur Ten Hsiao Pinit, gjëra të ulëta për Shqipërinë, por ju asgjë s’pranoni. Kurse ne, kemi qenë gjithnjë të sinqertë me ju. Edhe Kosigini nuk u soll mirë me mua, në një bisedë që patëm. Ai u soll sikur të ishte padron. Tha se; “ka armiq në Partinë tuaj, që duan të na përçajnë”. Këtë vit ne kemi qenë keq për bukë, nga kushtet shumë të rënda natyrore. Kishim bukë vetëm për 15 ditë.

Ju kërkuam 50 mijë tonë drithë, 45 ditë pritëm, por përgjigje nuk morëm. Blemë në Francë me valutë të lirë. Tregtari francez erdhi menjëherë në Shqipëri, për të matur pulsin. Ai tha se; “si është e mundur një gjë e tillë. Shqipëria s’ka blerë bukë në vendet perëndimore. Bashkimi Sovjetik shet drithë kudo”? Ne, për të zhdukur dyshimet e tij, i thamë se; “Bashkimi Sovjetik na ka dhënë drithë, na ka dhënë misër, por ne e përdorim për ushqimin e derrave”. Ne e dimë ku shisni ju drithë, ku shesin rumunët, gjermanët: në Angli e gjetkë. Ju na vutë kushte dhe ne u detyruam t’ju ofrojmë flori, për të blerë drithin që na duhej.

MIKOJANI: Ne nuk kemi refuzuar t’ju japim drithë. Unë e di se juve ju është dërguar çdo muaj drithë, me vapor. Ju u propozuat njerëzve tanë të blinin me ar, ata e pranuan. Ç’na duhet valuta juaj?!

ENVER HOXHA: Shoku Pospjellov, ju e keni parë se ç’dashuri ushqen populli ynë për Bashkimin Sovjetik, kur ishit në Shqipëri. Por ju këtë dashuri tani e kërkoni te Koço Tashkoja e Liri Belishova e, jo te ne. Taktika që ndiqni ju është krejtësisht e shtrembër. Përpara se ju t’i shkruanit këto gjëra në letrën që përmenda, duhet të bisedonit më parë me mua. Por, kur ju Partinë tonë dhe udhëheqjen e saj, e akuzoni për antisovjetizëm, për kriminele, siç thoni ju; “për metoda staliniste”, e pasi e keni akuzuar në sytë e të gjithëve, tani doni të bisedoni me mua, unë këtë nuk mund ta pranoj kurrë.

MIKOJANI: Ne iu ftuam që më parë të bisedonim, por ju nuk deshët.

ENVER HOXHA: Çështja nuk është ashtu. Unë kisha pak ditë për të pushuar, ky ishte një gjysëm pushimi, sepse punoja për raportin e Kongresit të Partisë. Shoku Hysni Kapo më tha se Ivanovi i kishte transmetuar që; shoku Enver, po të dojë, mund të shkojë për të pushuar në Bashkimin Sovjetik. Por s’më tha për takimin me Hrushovin.

HYSNI KAPO: Përsa i përket letrës suaj, me të cilën na ftonit për të biseduar, në të dilte qartë, se përse duhej të bisedonim.

ENVER HOXHA: Letra fliste të takoheshim në lidhje me çështjen e Kinës.

MIKOJANI: Jo për çështjen e Kinës; atje fjala “Kinë”, as që përmendet. Ju refuzuat të takoheshit.

MEHMET SHEHU: Si mund të mohohet një gjë e tillë? Si mund të silleni në këtë mënyrë ndaj vendit tonë? Rëndoftë turpi mbi ju, shoku Kozllov, që i lejoni vetes t’i jepni ultimatum Shqipërisë së vogël.

KOZLLOVI: Kur kaloi këtu delegacioni juaj, unë vetëm thashë se më çuditi pozita e shokut Kapo. Qëndrimi juaj ishte i ndryshëm nga ai i partive të tjera. Ne jemi sjellë mirë me ju. Shoku Enver kur ka folur në Leningrad, ka thënë se populli shqiptar e ndjen veten, jo një milion, por 201 milionë.

ENVER HOXHA: E them edhe tani, por jo në qoftë se ju nuk keni parasysh Kinën. Edhe ne, edhe ju, duhet të jemi për unitetin e kampit, për një miliardë. Ne e duam Bashkimin Sovjetik, por edhe popullin kinez, edhe Partinë Komuniste të Kinës e duam shumë. Por, pse pas Bukureshtit ju, shoku Kozllov, flisni për zig-zage të Partisë sonë, me kë do të jemi, “me 200, apo me 600 milionët”? Edhe në takimin ku asistonin ambasadorë të tjerë, ju keni thënë se mjafton një bombë, për ta bërë Shqipërinë shkrumb e hi.

HYSNI KAPO: Ju thoni, se ne gjoja flasim pas shpine. Por, Hrushovi më datën 22 tetor, i ka thënë shokut Ten Hsiao Pin, se këtej e tutje ndaj Shqipërisë, do të sillet si dhe ndaj Jugosllavisë.

JURI ANDROPOV: Ja se si ka qenë kjo çështje; në bisedën me shokët kinezë, shoku Hrushov tha se disa udhëheqës shqiptarë s’janë të kënaqur që çështja e Berlinit nuk ka përfunduar.

ENVER HOXHA: Edhe unë e kam thënë një gjë të tillë. Pasi u kthye Hrushovi nga Parisi, Ivanovi më pyeti për çështjen e Berlinit. Unë iu përgjigja: “Sipas mendimit tim personal, imperializmi është tronditur, pozitat tona janë të forta, është krijuar një situatë politike e favorshme në Amerikë, e cila mund të shfrytëzohet për zgjidhjen e problemit të Berlinit. Ky ishte mendimi im personal”.

MIKOJANI: Këtu s’ka gjë të keqe, por jo si e ka bërë ndonjëri, i cili na ka ofenduar, u ka thënë oficerëve tanë “ju u trembët në Berlin, nuk e mbajtët fjalën” etj…….

ANDROPOVI: Hrushovi tha lidhur me këto fjalë se me shqiptarët kemi pasur marrëdhënie të mira, po ja që, siç tregojnë punët, ne s’mund t’u besojmë e humbëm Shqipërinë……

ENVER HOXHA: Edhe kështu nuk është aspak shoqërore. Si na ka mësuar partia e bolshevikëve? Të gjitha këto gjëra kanë një burim. Marksizëm-leninizmi nuk njeh që ngjarjet të zhvillohen spontanisht. Prandaj duhet të thelloheni në këto gjëra. Cilat janë arsyet që sollën në këto gjëra pas Bukureshtit? Ne mendojmë se ju duhet të na i thoni ato.

MIKOJANI: Mundet që ne jemi njerëz të këqij, por ne s’jemi budallenj. Përse të na duhet keqësimi i marrëdhënieve me ju?

ENVER HOXHA: Edhe ne e kemi bërë këtë pyetje. Le që ne s’kemi gabuar, por, edhe sikur të kishim bërë gabime, PK e BS-së që ka parë shumë gjëra, pse nuk tregoi durim me ne shqiptarët dhe udhëheqja e saj të thoshte: “Mirë, shqiptarët kanë gabuar, të shohim çdo të thonë nesër pasi të mendohen”. Duhet ta dini shokë, se neve nuk na vjen mirë kur shohim këto që po ndodhin në qëndrimet e udhëheqësve e të personave të tjerë zyrtarë sovjetikë ndaj Shqipërisë e Partisë sonë të Punës. Ne ju themi se duhet ndryshuar krejt fryma jo e shëndoshë që ekziston në njerëzit tuaj në Shqipëri. Që pas Mbledhjes së Bukureshtit, pas atyre që po bën Ivanovi me shokë, unë s’kam takuar e s’do t’i takoj njerëzit tuaj në Tiranë.

MIKOJANI: Kuadrot tuaj kanë ndryshuar qëndrimin ndaj nesh. Komiteti Qendror i Partisë sonë përmendet. Hrushovi përmendet vetëm se vepron, jo drejt.

ENVER HOXHA: Duhet t’ju them shoqërisht se Hrushovi na akuzon shpesh për gjaknxehtë. Por vetë Hrushovi duhet të kontrollojë fjalët që thotë, sepse çdo shtet, çdo njeri ka dinjitetin e tij. Ai ka thënë se Shqipërinë do ta trajtojmë njëlloj si Jugosllavinë. Ju nuk duhet të shkruani gjëra të tilla në dokument.

POSPJELLOVI: Shoku Hysni Kapo në Bukuresht në replikat e tij ka vepruar jo drejt.

ENVER HOXHA: Bukureshtin, ashtu si e organizuat ju, ne s’e pranojmë edhe tashti.

MIKOJANI: Bukureshti është një çështje tjetër. Tani çështja shtrohet nëse duhet t’i përmirësojmë ose jo marrëdhëniet tona. Sot shoku Hrushov, në fjalimin e tij, tha se ne do të kemi miqësi edhe me partitë, me të cilat kemi mosmarrëveshje. Ne duhet të takohemi dhe të bisedojmë.

ENVER HOXHA: Ne s’jemi kundër takimeve. Por nga shokët e udhëheqjes së PK të BS-së ne kërkojmë të jenë më të kujdesshëm, sepse t’u shpërndani një dokument 80-të e ca partive ku lini Shqipërinë jashtë vendeve socialiste dhe pastaj të na ftoni: “ejani të bisedojmë”, kjo është krejt e papranueshme nga ne.

SUSLLOVI, MIKOJANI: Le të takohemi për të diskutuar se si t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona.

ENVER HOXHA: Ne gjithashtu kërkojmë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona.

SUSLLOVI: Por jo me një ton të tillë.

ENVER HOXHA: Dua t’ju jap një këshillë: Hiqeni nga mendja se ne jemi gjaknxehtë. Kur është çështja për të mbrojtur marksizëm-leninizmin dhe interesat e popullit tonë, ne do t’i mbrojmë ato me zjarr. Memorie.al