Udhëheqësit evropianë që përbëjnë “koalicionin e të vullnetshëmve” do të zhvillojnë një video konferencë të dielën, përpara se Volodymyr Zelensky të udhëtojë për në Uashington për t’u takuar me Donald Trump. Koalicioni, i bashkëkryesuar nga Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ka për qëllim bashkimin e vendeve për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen ka deklaruar se do të udhëtojë së bashku me presidentin ukrainas drejt Uashingtonit, ndërkohë që takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë do të jenë edhe liderë të tjerë evropianë, emrat e të cilave ende nuk janë bërë me dije.

Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë, sipas CNN, synon që të organizojë shumë shpejt edhe një takim tre palësh me Putinin dhe Zelenskyn nëse gjithçka do të shkojë mirë në takimin e nesërm.

Në krye të axhendës në konferencën e së dielës do të jetë sigurimi i një angazhimi konkret nga Trump për një garanci sigurie që do të vepronte si një pengesë e fuqishme në çdo marrëveshje paqeruajtëse Rusi-Ukrainë. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si ta bëjnë Zelenskyn pjesë të bisedimeve, pasi Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin e lanë jashtë loje me samitin që mbajtën të premten në Alaska.

Në një deklaratë të përbashkët dje, udhëheqësit evropianë thanë se Zelensky duhet të luajë një rol më të madh në bisedimet e ardhshme dhe se paqja nuk mund të arrihet pa të. Pjesa e vështirë do të jetë bindja e administratës amerikane që të ndryshojë qasjen e saj, diçka që ka rezultuar pothuajse e pamundur deri më tani.

Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar dhe e bëri të qartë se SHBA-të nuk do të jepnin më një çek të bardhë për të mbrojtur paqen në Evropë, të tjerët vendosën se duhej të ndërmerrnin hapa dhe “koalicioni i të vullnetshmëve” u krijua në mars.