Armando Broja do largohet nga Chelsea në mënyrë të përhershme. Sulmuesi i Kombëtares ka dhënë dakordësinë dhe do bashkohet me Burnleyn, po në Premier Leaguen angleze të futbollit. 23-vjeçari ka dy vite pa shënuar gol (mes disa huazimeve dhe disa dëmtimeve), por kjo nuk e ka penguar Burnleyn që të vlerësojë aftësitë e sulmuesit që është formuar në akademinë e Chelsea.
Gazetari Fabrizio Romano tregon se Broja është pajtuar me këtë lëvizje të përhershme dhe gjatë orëve që vijnë ai do udhëtojë për në klubin e ri, ku pas vizitave mjekësore do hedhë firmën në një kontratë afatgjatë.
Edhe pse ka kontratë deri në 2028 me Chelsea, dëmtimet bënë që Broja të humbiste muaj të shumtë për rikuperimin dhe huazimet te Fulham apo Everton nuk ishin aq të suksesshme.
Nga ana e vet, Chelsea disa ditë më parë e vlerësoi Brojën 25 milionë euro, shumë që duket se është dakordësuar për t’u paguar nga Burnley. Kështu, sulmuesi i Kombëtares gjen një përvojë të re po në Premier League.
Edhe pse pas tij ishin PSV, Stuttgart apo Leipzig, Broja zgjodhi të bënte një lëvizje të përhershme dhe të mbetej në Premier League.