Njësia e Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik në QSUNT do të pajiset me akseleratorin e tretë brenda vitit 2025, hap ky që, sipas drejtuesit të këtij institucioni, do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes si dhe do të rrisë kapacitetin e trajtimit duke mundësuar përdorimin e teknologjive më moderne të radioterapisë. Vetë kreu i QSUNT, Florenc Spaho, ka preferuar të bashkëbisedojë në repartin Onkologjik qoftë me mjekët ashtu edhe me pacientët dhe familjarët, duke kërkuar një bashkëpunim më efikas me qëllim që investimet të jenë në drejtim të lehtëstimit të procesve për të sëmurët.

“Përmirësimi i shërbimit nuk qëndron vetëm tek pajisjet, por ai do mbështetet edhe te zëri i pacientëve dhe familjarëve të tyre. Duke i dëgjuar nga afër, bëjmë të mundur që mbështetja të jetë e drejtuar dhe e plotë”, u shpreh kreu i QSUNT, Florenc Spaho.

Ish deputeti i Elbasanit, Spaho, që mori vetëm prej më pak se një muaji drejtimin e QSUNT, ka vënë theksin në rritjen e komunikimit mes mjekëve dhecpacientëve dhe përshpejtimit në dhënien e përgjigjeve për çdo pacient.

“Besimi dhe mirënjohja që ata tregojnë çdo ditë ndaj stafit mjekësor, është përgjegjësi për ne që zëri i tyre të dëgjohet gjithmonë”, u shpreh Spaho në një takim me drejtuesit e këtij pavijoni, që vijon të jetë ndër më të ngarkuarit në QSUNT, bashkë me Urgjencën ku edhe është fluksi më i madh nga e gjithë Shqipëria.