Gruaja e ish-presidentit të burgosur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është arrestuar për një sërë akuzash, përfshirë manipulim të aksioneve dhe ryshfet. Ish-zonja e parë Kim Keon Hee mohoi të gjitha akuzat gjatë një seance gjyqësore katër-orëshe në Seul. Por gjykata lëshoi një urdhër arresti, duke përmendur rrezikun se ajo mund të shkatërrojë provat.

Koreja e Jugut ka një histori të padive dhe burgosjeve të ish-presidentëve. Megjithatë, kjo është hera e parë që si ish-presidenti ashtu edhe ish-zonja e parë janë burgosur. Yoon u arrestua në janar për t’u përballur me gjyqin për një përpjekje të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak që e zhyti vendin në kaos dhe përfundimisht solli në rrëzimin e tij.

Prokurorët thonë se Kim, 52 vjeç, përfitoi mbi 800 milionë won (577,940 dollarë; 428,000 £) duke marrë pjesë në një skemë manipulimi çmimesh që përfshinte aksionet e Deutsch Motors, një tregtar BMW në Korenë e Jugut. Ndërsa kjo thuhet se ndodhi përpara se burri i saj të zgjidhej udhëheqës i vendit, ajo vazhdoi aktivitetin edhe gjatë gjithë presidencës së tij. Ajo dyshohet se pranoi edhe dy çanta Chanel dhe një gjerdan diamanti si ryshfet nga Kisha e Unifikimit, në këmbim të favoreve të biznesit.

Ndër akuza të tjera, Kim akuzohet gjithashtu për ndërhyrje në emërimet e kandidatëve gjatë zgjedhjeve të pjesshme parlamentare në vitin 2022 dhe zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Kim u shfaq solemne ndërsa mori pjesë në seancën dëgjimore të së martës, e veshur me një kostum të zi dhe një fund të zi.

“Kërkoj sinqerisht ndjesë që shkaktova probleme pavarësisht se jam një person pa rëndësi,”- u tha ajo gazetarëve.

Ndërsa ishte president, Yoon vuri veton në tre projektligje të propozuara nga opozita që kërkonin një hetim nga një këshill i posaçëm për akuzat kundër Kim.