Paolo Valentino – Corriere della Sera
Në Kremlin po fryn erë ndryshimi. Presidenti rus Vladimir Putin po lë mënjanë aleatët e vjetër, shumica tashmë në të shtatëdhjetat, për t’i bërë vend një brezi të ri, por jo për të hequr dorë nga pushteti. Sipas një raporti të gazetarit rus-amerikan Mikhail Zygar për Atlantic Council, ky brez i ri përbëhet kryesisht nga fëmijët e drejtuesve aktualë, miqve dhe familjarëve të Putinit, përfshirë dy vajzat e tij.
Putin, që mund të qeverisë deri në vitin 2036, synon të ruajë kontrollin absolut. Emra të rëndësishëm të elitës së vjetër si Sergei Shoigu, Sergei Lavrov, Yuri Ushakov, Igor Sechin dhe Aleksei Miller pritet të largohen gradualisht. Ndërkohë, gjenerata e re nuk ka kujtime nga Bashkimi Sovjetik, por ndan plotësisht vizionin autoritar e neo-imperialist të Putinit, duke kombinuar nacionalizmin me pragmatizmin e biznesit global.
Aleksei Dumin
Nëse Putin do të zgjidhte një pasardhës, me shumë gjasa do të ishte Aleksei Dumin, ish-truproja që i shpëtoi jetën duke trembur një ari, sot sekretar i Këshillit të Shtetit. Në vitin 2014, si komandant i Forcave për Operacione Speciale, ai organizoi pushtimin e Krimesë. Pas një periudhe si guvernator i Tulës, në 2024 pritej të zëvendësonte Shoigu si ministër i Mbrojtjes, por Putin e solli sërish në Kremlin.
Kirill Dmitriev
I lindur në Kiev më 1975, “i mbrojturi” i Katerina Tikhonova-s pasi u martua me shoqen e saj të ngushtë Natalia Popova, Dmitriev ka diplomë në ekonomi nga Stanford dhe MBA nga Harvard. Pasi punoi për Goldman Sachs, u kthye në Rusi në 2000 dhe sot drejton Fondin Sovran (RDFI) me 10 miliardë dollarë, nën kontrollin e familjes Putin. Ai ka lidhje të forta me monarkitë e Gjirit dhe është mik i Jared Kushner-it, dhëndrit të Trump, duke organizuar kontakte dhe takime mes Uashingtonit dhe Moskës. Synon postin e ministrit të Jashtëm, por ambicia konsiderohet e parakohshme.
Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova
Vajzat e Putinit me ish-bashkëshorten Lyudmilla, me mbiemra të ndryshuar për arsye sigurie, por me identitet të njohur. Në rritje të shpejtë në skenën publike, shfaqja e tyre në Forumin e Shën Petersburgut në 2024 u pa si sinjal gatishmërie për role të rëndësishme. Vorontsova është endokrinologe dhe drejtuese e kompanisë farmaceutike Nomeko. Tikhonova, më aktive dhe më me ndikim, drejton fondacionin shkencor Innopraktika dhe garanton qasje tek babai për një grup biznesmenësh.
Boris Kovalchuk
47-vjeçari u bë në 2024 kreu i Gjykatës së Llogarive, por kjo u pa si zhgënjim për të atin, oligarkun Yury Kovalchuk, miku më i ngushtë i Putinit, me të cilin kaloi periudhën e karantinës. Kovalchuk i madh do ta kishte dashur të birin në krye të një gjiganti shtetëror si Rosneft apo Gazprom. Megjithëse posti kontrollon të gjitha kompanitë publike, u interpretua si një lëvizje e kalkuluar e Putinit për të ulur ndikimin e të atit.
Denis Manturov dhe Dmitri Chernishenko
Të dy 56 vjeç, Manturov është zëvendëskryeministër i parë dhe përgjegjës për fokusimin e qeverisë në përpjekjet e luftës. Është protezhuar nga Sergei Chemezov, shefi i RosTec dhe mik i Putinit që nga koha e Dresdenit. Chernishenko, gjithashtu zëvendëskryeministër, drejton aparatin ekzekutiv të qeverisë. Të dy gëzojnë besimin e Putinit dhe shihen si pasardhës të mentorëve të tyre në pozita kyçe.
Dmitrij Patrushev
47-vjeçari është djali i Nikolai Patrushev-it, ish-shef i FSB dhe figurë kyçe në vendimin për pushtimin e Ukrainës. Në 2024, babai kërkoi që ai të bëhej kryeministër, por Putin e emëroi zëvendëskryeministër dhe ministër të Bujqësisë, një post që e vendos në zemër të aparatit të pushtetit. Ndërkohë, Patrushev i madh u spostua në një rol dytësor si këshilltar për industrinë detare.
Anna Tsivileva
Vajza e ndjerë e kushëririt të parë të Putinit, Evgenij Putin, dhe bashkëshortja e ministrit të Energjisë Sergei Tsivilev, Anna është sot një nga gratë më të fuqishme të Rusisë. Ajo është miliardere falë aksioneve në kompaninë minerare të qymyrit Kolmar, të dhëna, thuhet, nga vetë Putin. Në 2024, pas shkarkimit të Shoigu-t, ajo u bë zëvendëse e ministrit të ri të Mbrojtjes, me përgjegjësi kritike për furnizimet. Ka gjasa të ngjitet në postin e zëvendëskryeministres për politikat sociale.