Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin thanë se kanë arritur një marrëveshje në diskutimet për paqen në Ukrainë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Alaskë pas takimit me dyer të mbyllura, asnjëri prej tyre nuk foli për detaje konkrete të marrëveshjes.
Bisedimet në Alaskë zgjatën për rreth 3 orë. Në takimin ishin të pranishëm gjithashtu ministrat e Jashtëm respektivë dhe këshilltari i secilit president.
Putin foli i parë në konferencë dhe përmendi arritjen e një marrëveshje me SHBA, por pa specifikuar asgjë.
Sa i përket luftës me Ukrainën, Presidenti rus e konsideroi një tragjedi atë që po ndodh dhe sipas tij të dyja vendet janë të interesuar t’i japin fund.
“Ajo që ka ndodhur është një tragjedi, prandaj vendet tona janë të interesuar t’i japin fund kësaj situate. Duhet të eliminojmë shkaqet themelore të këtij konflikti. Duhet të marrim shqetësimet legjitimet të Rusisë. Duhet gjithashtu që siguria e Ukrainës të sigurohet”, tha ndër të tjera Presidenti Putin duke bërë thirrje që Europa dhe Kievi të mos e zhbëjnë marrëveshjen e arritur.
Kurse Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se takimi me homologun rus ishte shumë produktiv, megjithatë ka ende detaje për t’u arritur. Por ai theksoi se për këtë takim do të vendosë në dijeni Presidentin ukrainas Zelensky dhe aleatë të tjerë.
“Kishim një takim shumë produktiv, ramë dakord për pjesën më të madhe të tyre. Kemi bërë goxha progres. Do flas me Presidentin Zelensky dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm. Do kemi mundësi të ecim përpara me progresin e arritur sot. Unë do bëj disa telefonata. Do them cfarë ndodhi. Por patëm takim jashtëzakonisht produktiv. Mbeten vetëm disa pika që nuk janë ndoshta aq të rëndësishme, por njëra prej tyre është e rëndësishme”, u shpreh Donald Trump.
Në fund të fjalës së tij, Trump tha me humor se takimi i radhës së tij me Putinin mund të jetë në Moskë.
Kujtojmë se gjatë rrugës për në Alaskë, Donald Trump tha se nuk do të ishte i lumtur nëse nuk arrihej armëpushimi. Por gjatë konferencës me Putinin, termi armëpushim as që nuk u përmend.
Takimi i nivelit të lartë midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin nisi rreth orës 21:35 me dyer të mbyllura në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage, Alaskë.
Trump shoqërohej nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff.
Kurse Presidenti rus shoqërohej nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe këshilltari presidencial Yuri Ushakov. Ky i fundit më herët ka shërbyer si ambasador i Rusisë në SHBA.
Çfarë ndodhi para takimit të nivelit të lartë?
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin shtrënguan duart më herët në aeroportin e bazës ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage të Alaskës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe kreu i Kremlinit qëndruan përpara mediave për t’u fotografuar, por nuk ju përgjigjën asnjë pyetjeje që u bë nga reporterët.
“President Putin, a do të bini dakord për një armëpushim”, pyeti një gazetar.
Një tjetër pyeti se cili është mesazhi i Trump për Putinin.
Kurse një tjetër pyeti “a do ta ndaloni vrasjen e civilëve”?
Por asnjë prej dy presidentëve nuk u përgjigj. Pas ndalesës së shkurtër për foto, Donald Trump dhe Vladimir Putin u futën të dy në një makinë, në limuzinën e blinduar të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eskorta shoqëruese e dy presidentëve më pas u drejtua për në ambientet ku do të zhvillohet takimi mes tyre.