Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar zhvendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane më afër Rusisë, pas asaj që e cilësoi si “deklarata shumë provokuese” të ish-presidentit rus Dmitri Medvedev.

Në një intervistë për gazetarin Rob Finnerty, transmetuar nga Newsmax, Trump konfirmoi se nëndetëset janë aktualisht më pranë kufijve rusë.

“Një ish-president i Rusisë, tani në krye të një prej këshillave më të rëndësishme, Medvedev, ka thënë gjëra shumë të këqija, duke folur për armët bërthamore. Kur përmendet fjala ‘bërthamore’, sytë e mi ndriçojnë dhe them: ‘Duhet të jemi të kujdesshëm’, sepse është kërcënimi suprem,” deklaroi ai.

I pyetur nëse nëndetëset janë më afër Rusisë, Trump u përgjigj: “Po, ato janë më afër Rusisë.” Ai theksoi se vendimi është marrë për sigurinë e popullit amerikan.

“Ka pasur një kërcënim që nuk e kemi konsideruar të përshtatshëm, prandaj duhet të jem shumë i kujdesshëm. E bëj këtë për mbrojtjen e popullit tonë,” shtoi presidenti amerikan.

Lëvizja vjen në një moment të tensionuar midis Uashingtonit dhe Moskës, ndërsa Trump paralajmëron sanksione të reja me synimin për të detyruar Rusinë drejt një armëpushimi në luftën e saj kundër Ukrainës.

Ndërkohë, gjatë natës së kaluar, Ukraina ka ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë në territorin rus. Sipas mediave ukrainase dhe kanaleve Telegram ruse, një zjarr i madh ka shpërthyer në një rafineri nafte në Novokuybyshevsk, në rajonin e Samarës. Guvernatori i rajonit, Vyacheslav Fedorishchev, konfirmoi sulmin, duke njoftuar se shërbimet e emergjencës po punojnë në vendngjarje.