Tre turistë nga Zelanda e Re thonë se Shqipëria është një nga vendet më të bukura ku kanë qenë ndonjëherë pavarësisht situatës së zjarreve.
Europa po përballet aktualisht me një krizë të rëndë zjarresh, që kanë shpërthyer që nga fundi i korrikut për shkak të një vale të fuqishme të të nxehtit. Këtë vit, rreth 440,000 hektarë janë përfshirë nga flakët në Evropën Jugore, me vatra kryesore në Greqi, Spanjë, Portugali, Turqi dhe Shqipëri. Zjarret kanë shkaktuar viktima: të paktën një person ka humbur jetën në Shqipëri, ndërsa disa të tjerë në vende të tjera, me qindra të plagosur dhe dhjetëra mijëra të evakuuar.
Vetëm në Shqipëri janë aktualisht 30 vatra aktive zjarresh, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, kultura bujqësore dhe bagëti, si dhe evakuime nga fshatra në rrethet e Elbasanit, Vlorës dhe Beratit.
Megjithatë, ndërsa zjarret vijojnë, turizmi në Shqipëri po vazhdon normalisht.
Kështu shprehen tre turistë nga Zelanda e Re që po udhëtojnë nëpër vendin ballkanik, të cilët thonë se është “një nga më të pabesueshmit ku kanë qenë ndonjëherë”. Phoenix Attwood dhe i fejuari i saj Benjamin Fisher kanë qenë në Shqipëri që nga fundi i korrikut, së bashku me mikun e tyre Conor Downey, dhe folën për Express.co.uk mbi përvojën e të qenit turist në mes të zjarreve.
Aktualisht ata ndodhen në Përmet dhe thonë se, në tërësi, udhëtimi ka shkuar pa probleme, kryesisht falë reagimit të vendasve. E nisën udhëtimin në Sarandë, në Rivierën Shqiptare, ku gjithçka ishte “krejt në rregull”, tha Ben.
“Ne kishim dëgjuar përpara se të vinin në Shqipëri për zjarret, por nuk kishim parë asgjë. Në Sarandë ishte krejt normale situata dhe nuk e kishim ndjerë fare, por sapo nisëm udhëtimin me autobus drejt Gjirokastrës, pamë tym e zjarr në male dhe atëherë u shqetësuam disi, sepse ishte shumë më afër se sa mendonim.”
Realiteti i zjarreve u bë më i prekshëm kur grupi vendosi të shkonte në një udhëtim me kajak drejt ‘Syrit të Kaltër’ në jug të Shqipërisë, një destinacion turistik i njohur ku uji i burimit natyror është aq i kthjellët sa mund të shohësh deri në 50 metra thellësi.
Ben tha: “Ndërsa po vozisnim me kajak në Syrin e Kaltër, një re e madhe tymi po ngrihej mbi mal, gjë që ishte goxha e frikshme. Ishte një sinjal i fortë për ne, të gjithë po ndiheshim nervozë.”
Reja e tymit u rrit shpejt dhe grupi vendosi të largohej nga zona dhe të kthehej në vendin e tyre të qëndrimit. Megjithatë, Conor thotë se shqiptarët janë përpjekur t’i qetësojnë.
“Shqiptarët janë shumë të dashur dhe të sjellshëm; janë shumë të qetë dhe vazhdojnë rutinën e tyre, edhe taksitë me të cilat kemi udhëtuar pranë zjarreve. Ata thonë se është keq, por megjithatë vazhdojnë punën e tyre.
Ai shtoi se të tre janë me fat që janë në një pozicion të privilegjuar, pasi kanë sigurim të plotë udhëtimi dhe se qeveria në Shqipëri e ka situatën nën kontroll.
Connor shtoi: “Na është bërë mjaft e qartë se autoritetet lokale në Shqipëri kanë qenë proaktive në evakuimin e turistëve, kur ka qenë e nevojshme.”
Phoenix tha: “Duke qenë nga Zelanda e Re, ne nuk përballemi shpesh me zjarre të tilla, ndaj besoj që këtu lind edhe ankthi ynë. Është një territor i panjohur për ne, ndërsa për njerëzit këtu është shumë më qetësues, sepse të gjithë të tjerët janë të qetë.”
Pavarësisht ankthit që u shkaktojnë zjarret, të tre bien dakord se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar dhe të tre synojnë të kthehen një ditë.
Ben tha: “Është një vend kaq i bukur dhe kudo që kemi qenë kemi ndjerë mikpritje. Kemi pasur shumë përvoja të mrekullueshme me vendasit, pa folur për ushqimin.
“Nëse vini në Shqipëri për diçka, ushqimi duhet patjetër të jetë në krye të listës.”