Nga Alba Malltezi/
Me një celular në dorë, qytetarë shqiptarë dhe të huaj janë kontrollorët më të mirë e të saktë të cilësisë së turizmit që ofrojmë.
Askujt nuk duhet t’i mbetet hatri: vetëm kritikat dhe dëshmitë personale mund të na përmirësojnë. Nuk ka pse të hatërmbeten më të mirët!
Askush nuk do t’i braktisë për dhomat apo ushqimin perfekt që ofrojnë. Por hileqarët, arrogantët, përfituesit duhet të jenë në lupën e të gjithëve, nën kontrollin e të gjithëve.
Nuk duhet marrë për bazë dëshmia e korruptuar, qoftë lavdëruese, qoftë kritikuese e personazheve Vip apo influencer që flasin për turizmin me pagesë. Larg tyre.
Dëshmia e njerëzve të thjeshtë mbetet përherë ajo me autentike. Në resorte, plazhe, restorante janë mësuar t’ua bëjnë shërbimin mirë të famshmëve, problemi mbetet me masën e madhe dhe anonime të pushuesve.
Dhe me demokracinë e rrjetit, edhe masa e ka marrë fuqinë denoncuese. Një oxhak me tym të zi në mes të Sarandës, një psikopat me makinë të shtrenjtë buzë detit nën këmbët e pushuesve, nuk shpëton nga filmimet dhe denoncimet!
Askush nuk duhet të ndjehet i prekur prej tyre. Më të mirët, nuk braktisen nga pushuesit, përkundrazi, radha para tyre do të shtohet.