Një zjarr shpërtheu në xhaminë historike të shndërruar në katedrale në Kordoba të Spanjës të premten, por u shpëtua pasi zjarrfikësit arritën që të vinin nën kontroll shpejt flakët. Videot e publikuara tregonin flakë dhe tym që dilnin nga brenda atraksionit turistik që vizitohet nga 2 milionë njerëz në vit.

“Monumenti është shpëtuar. Nuk do të ketë përhapje, nuk do të jetë një katastrofë, le ta themi kështu”, tha kryebashkiaku i qytetit, José María Bellido.

Zjarri shkaktoi frikë për perlën arkitekturore të mesjetës së hershme dhe duke ngjallur kujtime të zjarrit të vitit 2019 që shkatërroi Katedralen Notre Dame në Paris.

I konsideruar si një xhevahir i arkitekturës islame, vendi u ndërtua si xhami – në vendin e një kishe më të hershme – midis shekujve të 8-të dhe të 10-të nga sundimtari i atëhershëm mysliman i qytetit jugor, Abd al-Rahman, një emir i dinastisë Umajad.

Pasi të krishterët e ripushtuan Spanjën në shekullin e 13-të nën mbretin Ferdinand III të Kastiljes, ajo u shndërrua në një katedrale dhe ndryshime arkitekturore u bënë gjatë shekujve në vijim.