Ushqimet ultra të përpunuara përbëjnë pjesën më të madhe të asaj që hanë fëmijët – dhe të rriturit nuk janë shumë prapa, zbulon një raport i publikuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Rreth 62% e kalorive ditore të fëmijëve dhe adoleshentëve vinin nga ushqime ultra të përpunuara, zbuloi Qendra Kombëtare për Statistikat e Shëndetit e CDC-së, krahasuar me 53% për të rriturit.
Raporti shënon herën e parë që CDC ka dhënë vlerësime, se sa ushqime ultra të përpunuara përbëjnë dietat e amerikanëve.
Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., në maj përmendi ushqimet ultra të përpunuara midis listës së tij të problemeve kryesore, që duhen adresuar për të frenuar atë që ai e quan një epidemi të sëmundjeve kronike të fëmijërisë.
Muajin e kaluar, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore ndërmori hapin e parë për të përcaktuar zyrtarisht “ushqimet ultra të përpunuara” – një veprim, thonë ekspertët, që mund të hapë derën për rregullore, duke përfshirë se cilat lloje ushqimesh janë të pranueshme për programet e ndihmës ushqimore. Dietat e pasura me ushqime ultra të përpunuara janë lidhur me një numër problemesh shëndetësore, duke përfshirë depresionin, diabetin e tipit 2 dhe vdekjene parakohshme.
Administratat e mëparshme janë përpjekur gjithashtu të ndërmarrin veprime për ushqimet ultra të përpunuara, por këto përpjekje janë përqendruar kryesisht në etiketimin dhe përbërësit individualë – siç janë sheqernat e shtuara dhe yndyrnat trans – në vend që të rregullojnë ose klasifikojnë ushqimet bazuar në nivelin e tyre të përpunimit. Në janar, gjatë administratës së Biden, Administrata e Ushqimit dhe Barnave propozoi që të kërkohet një etiketë e re në pjesën e përparme të shumicës së ushqimeve dhe pijeve të paketuara, që do t’i njoftonte konsumatorët se sa yndyrë të ngopur, kripë dhe sheqer të shtuar përmbanin.
Raporti i së enjtes u bazua në gjetjet nga Sondazhi Kombëtar i Shëndetit dhe Ushqyerjes, nga gushti 2021 deri në gusht 2023.
Autorja kryesore e raportit, Anne Williams, një studiuese në Qendrën Kombëtare për Statistikat e Shëndetit, tha se agjencia identifikoi ushqimet ultra të përpunuara duke përdorur sistemin e klasifikimit NOVA – një kornizë e zhvilluar nga studiues brazilianë që është mjeti më i përdorur për të vlerësuar ushqimet e përpunuara. NOVA i përcakton produktet ultra të përpunuara si “krijime industriale” të bëra me pak – nëse ka fare – ushqime të plota.
Burimi kryesor i ushqimeve ultra të përpunuara si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit ishin sanduiçët, të tillë si hamburgerët, hot dogët dhe patatet e skuqura me salcë karamele, tha Williams. Pas tyre vinin produktet e pjekura, ushqimet e kripura dhe pijet me sheqer.
Raporti zbuloi se të rriturit me të ardhura më të larta, kishin tendencë të hanin më pak ushqime ultra të përpunuara.
Gjithashtu zbuloi se konsumi i ushqimeve ultra të përpunuara si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit ra pak nga viti 2017-2018 deri në gusht 2021-23. Për të rriturit, rënia filloi edhe më herët, duke u kthyer në vitet 2013-2014. Williams paralajmëroi se rënia deri më tani ka qenë e vogël – një ndryshim prej 56 kalorish gjatë afërsisht një dekade.
Marion Nestle, profesoreshë e të ushqyerit, studimeve ushqimore dhe shëndetit publik në Universitetin e Nju Jorkut, tha se gjetjet e CDC-së përputhen me atë që studiuesit e jashtëm, kanë zbuluar në lidhje me zakonet e të ngrënit të amerikanëve.
Nestle tha se prindërit kanë tendencë të preferojnë ushqime ultra të përpunuara për fëmijët e tyre, sepse është e lehtë t’i hedhësh në çantën e drekës në shkollë.
Por, shtoi ajo, ndoshta arsyeja më e madhe pse fëmijët hanë kaq shumë ushqime ultra të përpunuara është se industria ushqimore ua tregton ato shumë.
“Ato janë produktet më fitimprurëse në supermarket, dhe kompanitë i shesin, i tregtojnë drejtpërdrejt fëmijëve”, tha Nestle. “Ato shihen si të bukura dhe janë ikonike, dhe je me fat t’i hash, sepse kështu tregtohen.”
Termi “ushqim ultra i përpunuar” u krijua rreth vitit 2009 dhe është përdorur kryesisht për qëllime kërkimore, tha Susan Mayne, e cila ishte drejtoreshë e Qendrës për Sigurinë Ushqimore dhe Ushqyerjen e Aplikuar të FDA-së si në administratën e Bidenit, ashtu edhe në atë të parë të Trumpit.
Mayne tha se hulumtimet kanë treguar se ngrënia e ushqimeve ultra të përpunuara në përgjithësi është e lidhur me rritjen e marrjes së kalorive dhe shtimin në peshë, si dhe me një rrezik më të madh të sëmundjeve kronike.
Problemi me përkufizimin e ushqimeve ultra të përpunuara, tha ajo, është se jo të gjitha janë të lidhura me rreziqe më të mëdha shëndetësore. Në fakt, disa prej tyre – si disa kos, bukë integrale dhe drithëra – janë në fakt të lidhura me rreziqe të reduktuara të sëmundjeve kronike si kanceri i zorrës së trashë. Shtete si Kalifornia janë përpjekur ta adresojnë këtë duke dalë me një përkufizim të ushqimeve ultra të përpunuara “veçanërisht të dëmshme”, shtoi ajo.
Sistemi i klasifikimit NOVA ka gjithashtu kufizime, pasi nuk e mat drejtpërdrejt përpunimin, tha Mayne. Përkundrazi, ai përdor aditivë dhe përbërës specifikë si një tregues për nivelin e përpunimit.
“FDA po angazhohet në një proces publik për të provuar të përcaktojë UPF-në, e cila është një hap i parë i mirë”, tha Mayne në një email, duke iu referuar ushqimeve ultra të përpunuara. “Por do të ishte e rëndësishme të përsëriten studimet për të treguar se përkufizimi i ri është po aq ose më parashikues i rrezikut të sëmundjeve kronike sesa përkufizimet ekzistuese përpara se të mund të përdoret për politika.”
HHS nuk ka thënë se kur planifikon ta përcaktojë zyrtarisht termin “ultra të përpunuar”.
Nestle tha se shpreson që administrata Trump të synojë edhe marketingun.
«Këto janë produkte shumë të përshtatshme dhe fëmijët do t’i hanë sepse janë trajnuar t’i hanë», tha ajo./ NBC News.