U largua njeriu që na mësoi se udhëtimi i ëndrrave nuk ishte ai drejt Hënës, por ai i kthimit në Tokë. James Arthur Lovell ishte 97 vjeç. Ikja e tij, e shpallur nga NASA, mbyll ekzistencën legjendare të një astronauti, komandant i Apollo 13, i cili në misionin e vitit 1970, me kthimin e tij prapa, të bërë me qetësi akullnajore, e solli në shtëpi gjithë njerëzimin.

Familja kujtoi “jetën e tij të jashtëzakonshme dhe arritjet e karrierës”, si edhe “udhëheqjen e tij legjendare në pionierimin e eksplorimit hapësinor njerëzor”. “Por, për të gjithë ne – shtuan ata – ishte baba, gjysh dhe pika e referimit e familjes sonë. Dhe, mbi të gjitha, heroi ynë.” “Do të na mungojë optimizmi i tij i palëkundur, ndjenja e humorit dhe mënyra se si na bënte të ndiheshim të aftë për të realizuar të pamundurën. Ishte me të vërtetë unik.”

Lovell jo vetëm që shkoi në hapësirë katër herë, por mbi të gjitha udhëhoqi misionin Apollo 13, i cili hyri në histori si një “katastrofë e shmangur”. Anija kozmike u nis më 11 prill 1970, fluturimi i tretë i programit Apollo që do të zbriste në Hënë. Shpërthimi në bord i një bombole oksigjeni çoi në dështimin e sistemit elektrik dhe atij të mbështetjes jetësore. Plani i uljes në Hënë u anulua.