Aktori britanik Terence Stamp, një nga figurat më të dalluara të kinemasë britanike të viteve ’60 dhe i njohur botërisht për rolin e General Zod në filmat “Superman” dhe “Superman II”, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.

Stamp, i nominuar për çmimin Oscar, la pas një filmografi të gjerë dhe të larmishme që përfshin rolet në “Teorema” të Pier Paolo Pasolinit (1968), “A Season in Hell” (1971), si dhe interpretimin e një gruaje transgjinore në filmin e vlerësuar “The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” (1994).

Në një deklaratë për Reuters, familja e tij tha: “Ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si aktor dhe shkrimtar, që do të vazhdojë të frymëzojë për vite me radhë”, raporton The Guardian.

I lindur në East End të Londrës më 1938, Stamp përjetoi bombardimet e Luftës së Dytë Botërore përpara se të hynte në botën e artit. Me pamjen e tij karakteristike dhe stilin elegant, ai u bë pjesë e një prej çifteve më të famshme të kohës me aktoren Julie Christie, me të cilën luajti në filmin “Far from the Madding Crowd” (1967). Ai gjithashtu pati lidhje me modelen Jean Shrimpton dhe ishte muzë e fotografit të njohur David Bailey.

Megjithëse nuk arriti të merrte rolin e James Bond pas Sean Connery, Stamp gjeti sukses në kinemanë italiane dhe bashkëpunoi me Federico Fellinin në fund të viteve ’60. Në një periudhë të mëvonshme ai u tërhoq nga skena për t’u përkushtuar studimeve të yogës në Indi, përpara se të rikthehej me rolin që e bëri ikonë, General Zod, udhëheqësi i kriptonianëve në “Superman” (1978) dhe vazhdimin e tij (1980).

Karriera e tij vazhdoi për dekada, duke përfshirë rolet në filma si “Valkyrie” (2008) me Tom Cruise, “The Adjustment Bureau” (2011) me Matt Damon, si dhe në disa projekte të regjisorit Tim Burton.