Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mbahet në qeli që prej muajit shkurt, i kërkon SPAK-ut t’i vërë në dispozicion një kopje të dosjes hetimore ndaj tij. Kjo kërkesë sipas avokatëve, është refuzuar nga Prokuroria e Posaçme, të cilët janë përgjigjur se të gjitha dokumentet e kërkuara, i janë vendosur në dispozicion nëpërmjet një USB-së avokatëve mbrojtës.
Pala mbrojtëse e të parit të Tiranës thotë se Veliaj nuk ka akses në pajisje elektronike dhe nga ana tjetër dosja është shumë voluminoze për t’u printuar.
“Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Nga ana tjetër, avokatët thonë se Prokuroria e Posaçme refuzon të lejojë takimin e Erion Veliajt me avokatët ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen ligjore për ta dërguar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës”, thuhet në reagim.
Veliaj u mor i pandehur më datë 24 korrik për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurisë dhe futje e sendeve në burg.