Nga Simon Hadaj

(Në vazhdën e Hajdut pa dashje)

Berisha pranoi se 21 Janari ishte një krim shtetëror, por i kryer pa dashje.

Për të vajtur te krimi, do të na duhet të shohim pse ndodhi vrasja? Aleati i tij i bashkëqeverisjes, Ilir Meta, u kap në një video-përgjim me një aferë korruptive prej 700 mijë euro. Pas atij skandali, sërish fshiheshin skandale të tjera, të ngjashme ose jo. Pra, gjithçka që ndodhi më pas është derivat i kësaj, kështu që i bie që gjithçka që u bë ishte me dashje dhe jo pa dashje. Ke pisllëkun që të ka ndotur dhe kujton se e shpëlan duke bërë vrasje.

Por disa vite përpara 21 Janarit, është Gërdeci. Është me dashje, sepse njerëzit u vranë si pasojë e korrupsionit qeveritar dhe ishin shumë institucione që nuk funksionuan që bën të ndodhte tragjedia e Gërdecit, sepse nëse shteti do të kishte funksionuar, do të ishin shmangur viktimat.

Ta bësh një krim me dashje, nuk do të thotë gjë tjetër, vetëm se ta bësh me paramendim, me një qëllim, me një shkak, për një arsye dhe arsyet janë pafund, prandaj këto vrasje janë bërë me dashje. Të bësh diçka me dashje, do të thotë të bësh diçka me arsye, me shkak dhe shkaqet janë të qarta. Shkaqet janë të përmasave të ndryshme.

Me dashje-pa dashje mund të përplasesh me një që kalon në rrugë, mund të thuash një fjalë më tepër, ose një llaf më pak, të bësh këtë ose atë gjë, me dashje-pa dashje mund të bësh shumë gjëra, por pa dashje nuk mund të vrasësh, sepse nuk mund të krahasohet vrasja me atë përplasjen në trotuar.

Pa dashje mund t’i japësh dikujt ndonjë ilaç gabim, si doktor që je mund të bësh ndonjë recetë të gabuar, – e bën pa dashje, se aq di e s’di më tepër, e bën pa dashje, dhe ai tjetri mund të ndodhë që të vdesë, dhe ke vrarë një njeri pa dashje si doktor që je, por kjo është shumë e rrallë.

Mirëpo, jo të vrasësh në bulevard, në mes të ditës, në kohën kur gjithçka kishte përfunduar dhe njerëz pa kurrfarë rrezikshmërie.

Të vrasë ushtari, ushtarin ta ketë komanduar kapteri, kapterin ta ketë komanduar oficeri, oficerin ta ketë komanduar komandanti i gardës, komandantin e gardës e ke urdhëruar ti, sepse komandanti i gardës nuk bën asgjë me kokën e vet apo i komanduar nga dikush tjetër, nuk bën asnjë gjë pa dashje as ai. Kështu që nuk bëhet fjalë për pa dashje. Të gjitha me dashje i ke bërë.

Jo vetëm me dashje, por edhe me dëshirë. Jo vetëm me dëshirë, por edhe me pasion.

E ke bërë me dashje atë vrasje dhe të gjitha vrasjet e tjera.

E ke bërë sepse ke menduar për hajdutlliqet, vjedhjet, zhvatjet, dallaveret, mafiozlliqet, naftën millosheviçit, tokat fazlliçit etj. Si qenka kjo? Vetëm me millosheviça dhe fazlliça u merke ti? E pra, se shkon edhe më tej ky muhabet! Që ta përmbyll, i ke bërë të gjitha me dashje. Përfshi edhe 21 Janarin. /TEMA