Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se disa vende, përfshirë Turqinë, shtetet e Gjirit dhe disa vende evropiane, mund të shërbejnë si lokacione për zhvillimin e bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin.
“Gjatë kësaj jave do të kemi kontakte me Turqinë, vendet e Gjirit dhe disa shtete evropiane që mund të pranojnë të organizojnë bisedime me Rusinë. Ne, nga ana jonë, do të jemi plotësisht të përgatitur për të çuar përpara përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”, është shprehur Zelensky në një fjalim të publikuar në formë video mbrëmjen e sotme.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur shefi i kabinetit presidencial ukrainas, Andriy Yermak, ndodhet në Katar, së bashku me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për takime me ministrin e Mbrojtjes së Katarit.
Pavarësisht gatishmërisë së Zelensky-t për dialog të drejtpërdrejtë me Putinin, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka një plan konkret për një takim mes dy liderëve.