Pas zjarreve që përvëluan Shqipërinë gjatë këtyre ditëve, sot ka nisur rënia e temperaturave që pritet të sjellë edhe reshje lokale afatshkurtra pothuajse në të gjitha qarqet.

Meteorologia Anira Gjoni, në një intervistë për Report Tv, tha se temperaturat e larta me të cilat u përball vendi ynë favorizonin zjarret. Por nga dita e sotme, temperaturat do të pësojnë rënie.

“Në përgjithësi shkaktar janë njerëzit, pasi shkëndijën e parë pa dashje apo nga neglizhenca mund ta shkaktojnë njerëzit dhe kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme për përhapjen e tyre. Edhe një bisht cigareje i hedhur mjafton për të përhapur një zjarr. Problematikë ngelet akoma, edhe pse përgjatë ditës së sotme dhe të nesërme ka rënie të rrezikut të zjarreve, pasi shumica e qarqeve kalojnë në nivelin rrezik i moderuar, presim të kemi reshje lokale të dobëta që do të prekin zonat kodrinore, malore të të gjitha qarqeve. Rrezik i lartë mbeten qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë. Sa i takon kushteve atmosferike të dy ditëve në vazhdim, presim të kemi reshje të dobëta lokale pothuajse në të gjitha qarqet. Temperaturat do pësojnë rënie”, tha Anira Gjoni.