Tre burra kanë humbur jetën dhe mijëra persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pasi zjarret, të nxitura nga një valë intensive të të nxehtit, kanë përfshirë disa rajone të Evropës._

*Spanjë -* Një punonjës i një qendre hipizmi në Spanjë, i cili pësoi djegie të rënda, ndërroi jetë në spital, pasi erërat deri në 70 kilometra në orë përhapën flakët në Tres Cantos në veri të Madridit, thanë zyrtarët të martën. Ai ishte viktima e parë nga dhjetëra zjarre që kanë përfshirë Spanjën që nga fillimi i valës së të nxehtit javën e kaluar.
Mediat spanjolle raportuan se ai mbeti i bllokuar nga flakët teksa përpiqej të shpëtonte kuajt.
Më vonë, zyrtarët në Castile dhe Leon në veriperëndim të Spanjës konfirmuan vdekjen e një burri tjetër që po ndihmonte në shuarjen e zjarreve.
Qindra banorë të Tres Cantos u evakuuan për shkak të rrezikut nga flakët që përparonin me shpejtësi, të cilat u vunë nën kontroll të martën në mëngjes.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkroi në platformën X se shërbimet e shpëtimit “po punojnë pa pushim për të shuar zjarret” dhe paralajmëroi: “Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret pyjore. Ju lutemi, tregoni kujdes.”

*Në Mal të Zi* , një ushtar humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë kur autoboti i tyre u përmbys gjatë luftimit të zjarreve në kodrat në veri të kryeqytetit, Podgoricë.
Autoritetet paralajmëruan banorët që të qëndrojnë brenda për shkak të tymit nga një zjarr në kodrat mbi Podgoricë.
Teksa zjarret po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ata që preken ndiejnë barrën emocionale dhe financiare.
“Është e vështirë, shumë e vështirë, mund ta shihni vetë … Gjëja më e vështirë për mua është emocionalisht – gjithçka që mund të blihet ose kompensohet, mund të zëvendësohet, por kujtimet që u dogjën në këto katër dhoma dhe në papafingon e madhe të shtëpisë sonë nuk mund të kompensohen,” tha Dragana Vukovia, një banore e prekur nga zjarret në Mal të Zi, për Al Jazeera.

*Në vende të tjera, rreth 2,000 persona u evakuuan nga hotele dhe shtëpi pranë plazheve të njohura të Tarifës, në rajonin jugor të Andaluzisë në Spanjë.*

Zjarri atje shpërtheu pranë një vendi ku një tjetër zjarr kishte shkaktuar evakuime më herët këtë muaj.
“Arritëm të shpëtojmë zonën e banuar në sekondat e fundit,” tha Antonio Sanz, ministri i brendshëm i Andaluzisë.
Një oficer i Gardës Civile u plagos kur u përplas nga një makinë gjatë ndihmës në evakuim, shtoi ai.
Në rajonin veriperëndimor të Castile dhe Leon, më shumë se 30 zjarre u raportuan të hënën, përfshirë një që rrezikonte Las Medulas, një Vend Trashëgimie Botërore i UNESCO-s i njohur për minierat e arit nga koha romake.

*Në Portugali,* zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha, me i madhi pranë Trancoso në qendër të vendit. Më shumë se 700 zjarrfikës janë mobilizuar.

*Në Francën jugore* , të hënën u thyen rekordet e temperaturës në katër stacione meteorologjike, ndërsa 3/4 e vendit ishin nën alarme për të nxehtin me temperatura që priten të arrijnë mbi 40 gradë Celsius në luginën e Rhone. Departamenti i Rhone ndaloi aktivitetet publike në ambiente të hapura.
Temperaturat nisën të rriten të premten, në valën e dytë të të nxehtit në Francë brenda pak javësh dhe pritet të qëndrojnë të larta edhe gjatë javës tjetër, sipas Meteo-France.

*Itali* – Njëmbëdhjetë qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen, u vunë në alarm të kuq për shkak të të nxehtit të martën.

*Shqipëri -* Qindra ushtarë dhe zjarrfikës janë gjithashtu duke luftuar me zjarret në Shqipëri.

*Greqia* kërkoi katër avionë zjarrfikës nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile për të përballuar mbi 100 zjarre.
Frontet më të rrezikshme të reja po digjen në ishullin turistik Zakynthos dhe në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë rajonin Achaia në Peloponez, ku rreth 20 fshatra janë evakuuar, sipas shërbimit zjarrfikës.

Erërat e forta po pengojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në ishujt e Detit Jon, Zakynthos dhe Kefalonia, ku autoritetet janë në gatishmëri për evakuimin e resorteve turistike që nuk janë ende në rrezik të menjëhershëm.

Zjarre të tjera të rënda janë duke u djegur në disa zona të pjesës perëndimore të Greqisë kontinentale dhe në ishullin Chios në Detin Egje lindor.
Në gjithë vendin, shërbimi i mbrojtjes civile lëshoi më shumë se 20 alarme përmes celularëve të martën me urdhra evakuimi dhe udhëzime.
Alarmet për të nxehtit janë dhënë edhe në Itali, Francë, Spanjë, Portugali dhe Ballkan, me temperatura që priten të kalojnë 40°C. Një fëmijë vdiq nga goditja e të nxehtit në Itali të hënën.

*Turqia përballet me zjarre në veriperëndim*

Zjarre të shumta janë përhapur edhe në Turqi.
Zjarfikësit janë përballur me disa zjarre në mbarë vendin të martën, me një zjarr të madh në provincën veriperëndimore të Canakkale që ka vazhduar për të dytën ditë pasi qindra banorë u evakuuan si masë paraprake.
Aeroporti i Canakkale dhe Ngushtica e Dardaneleve, që lidh Detin Egje me Detin e Marmarasë, u mbyllën përkohësisht për shkak të zjarreve të hënën.
Shtatë avionë dhe gjashtë helikopterë po marrin pjesë në përpjekjet për shuarjen e flakëve, tha guvernatori i Canakkale, Omer Toraman, duke shtuar se nuk ka rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Zjarre të tjera në provincën veriore të Edirne dhe atë jugore të Hatay janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që përpjekjet po vazhdojnë për një tjetër zjarr në provincën perëndimore të Manisa.