Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka dënuar ashpër aktet e zjarrvënies, duke theksuar se autorët do të përballen me drejtësinë pa asnjë tolerancë.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha u shpreh se temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rritur rrezikun e pasojave të pariparueshme. Ai e cilësoi zjarrvënien si një akt të rëndë që mund të kushtojë jetë njerëzish dhe të shkatërrojë prona publike e private.
“Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë menjëherë, me vendosmëri dhe pa asnjë tolerancë, ndaj çdo autori të këtyre veprave penale. Hetimi dhe ndëshkimi i zjarrvënësve do të jetë prioritet absolut dhe askush nuk do ti shpëtojë drejtësisë. Mbetemi të vendosur të mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin, duke përdorur çdo mjet ligjor për të goditur pa mëshirë këdo që i shkel dhe i rrezikon ato.”, shkruan Hoxha.
Ministri bëri të qartë se hetimi dhe ndëshkimi i zjarrvënësve do të jetë një prioritet absolut për agjencitë ligjzbatuese dhe askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjshmëri, të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri. Në rast rreziku, banorët duhet të zbatojnë pa vonesë urdhrat e evakuimit.