Sot mbushen nëntë vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, humanistja e njohur me origjinë shqiptare, e cila ia kushtoi jetën të varfërve dhe të pambrojturve anembanë botës. Më 5 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore gjatë një ceremonie madhështore në Vatikan, duke njohur dy mrekullitë e kryera pas vdekjes së saj si prova të shenjtërisë.
Në këtë përvjetor, e gjithë bota nderon figurën e saj të jashtëzakonshme, ndërsa shqiptarët krenohen me rrënjët e saj kombëtare. “Me gjak, jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit” – janë fjalët e saj të paharruara që vazhdojnë të frymëzojnë miliona njerëz.
Nënë Tereza, e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup në vitin 1910, hyri në jetën fetare në moshën 18-vjeçare. Pas përgatitjes së saj në Irlandë, ajo u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin “Misionarët e Bamirësisë”, një kongregacion që u përkushtua kujdesit për më të varfrit e të varfërve.
Ajo u bë simbol i dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, duke fituar respektin global dhe Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, ajo theksoi vlerën e jetës dhe të dinjitetit njerëzor me fjalët: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur…”
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë. Në vitin 2003, ajo u lumturua nga Papa Gjon Pali II, i cili njohu mrekullinë e parë të shërimit të një gruaje nga një tumor në stomak, për të cilën mjekët nuk gjetën asnjë shpjegim shkencor.